Protestë masive e opozitës në Turqi
https://parstoday.ir/sq/news/world-i53246-protestë_masive_e_opozitës_në_turqi
Partia kryesore opozitare në Turqi nisi marshimin nga Ankaraja drejt Stambollit, për të protestuar kundër burgosjes së një deputeti, i cili u dënua me 25 vite burg me akuzën se i dha informacione shtypit.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Qershor 15, 2017 15:27 Europe/Tirane
  • Protestë masive e opozitës në Turqi

Partia kryesore opozitare në Turqi nisi marshimin nga Ankaraja drejt Stambollit, për të protestuar kundër burgosjes së një deputeti, i cili u dënua me 25 vite burg me akuzën se i dha informacione shtypit.

Qindra protestues me parulla ku shkruhet “Drejtësi” i janë bashkuar marshimit, që do të zgjasë 450 kilometra për të kërkuar lirimin e Enis Berberoglu. “Po përballemi me një diktaturë. Nuk duam të jetojmë në një vend ku nuk ka drejtësi. Turqia po zhytet çdo ditë e më shumë në errësirë dhe demokracia po zhduket. Prandaj duhet të luftojmë bashkë”, tha Kemal Kiliçdaroglu, udhëheqës i “CHP”-së. Marshimi i nisur nga Partia Republikane e Popullit, ku deputeti Enis Berberoglu bën pjesë, do të përfundojë në dyert e burgut “Maltepe”, ku ai është burgosur. Berberoglu u shpall fajtor të mërkurën për nxjerrje sekretesh shtetërore dhe u dënua me 25 vite burg. Sipas akuzës, ai i dha informacione gazetës “Cumhuriyet”, e cila publikoi një artikull për kamionë me armë të shërbimit sekret turk që hynin në Siri. Vitin e kaluar, Turqia anuloi imunitetin për deputetët dhe, sipas kritikëve e analistëve, kjo u bë nga qeveria e presidenti Erdogan për të kërcënuar, trembur dhe burgosur kundërshtarët. Enis Berberoglu është i pari nga opozita që burgoset pas ndryshimit të rregullit.