Vazhdojnë protestat në Londër, sulmojnë godinat e bashkisë
Protesta janë organizuar në Londër teksa banorë të qytetit kërkuan mbështetje për personat e prekur nga zjarri në kullën Grenfell.
Rreth 60 persona mësynë në bashkitë e Kensington dhe Chelsea Town, duke kërkuar ndihmë të menjëhershme për personat që tashmë kanë mbetur të pastrehë. Turmat u mblodhën jashtë një salle ku kryeministrja Theresa May u takua me të mbijetuar të zjarrit, ndërkohë që nuk munguan protestat as në Downing Street.
Kryeministrja miratoi një fond prej 5 milionë paundësh për rroba, ushqime dhe furnizime emergjence, në një kohë kur bilanci i viktimave ka shkuar në 30. Rreth 70 persona janë shpallur të humbur, ndërkohë që deri më tani, vetëm 3 nga viktimat kanë mundur të identifikohen.
Sipas policisë, nuk ka prova që tregojnë se zjarri është nisur me qëllim.Kryeministrja May u përball me kritika pasi nuk u takua me të mbijetuarit fill pas ngjarjes, siç bënë liderë të tjerë të vendit.
E pyetur për reagimin e njerëzve, May mbrojti përgjigjen e qeverisë, duke argumentuar se vëmendja tashmë është përqendruar në sigurimin e mbështetjes në terren.