Dita botërore e refugjatëve
https://parstoday.ir/sq/news/world-i53632-dita_botërore_e_refugjatëve
Në kalendarin historik të OKB 20 qershori është caktuar dita botërore e refugjatëve. Kjo ditë është përcaktuar për të mbajtur gjallë ndjenjën e përkushtimit ndaj atyre personave që për nevoja të jetës detyrohen të emigrojnë.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Qershor 21, 2017 03:56 Europe/Tirane
  • Dita botërore e refugjatëve

Në kalendarin historik të OKB 20 qershori është caktuar dita botërore e refugjatëve. Kjo ditë është përcaktuar për të mbajtur gjallë ndjenjën e përkushtimit ndaj atyre personave që për nevoja të jetës detyrohen të emigrojnë.

Me rastin e kësaj dite komisari i lartë për çështjet e emigrantëve në OKB për çdo vit nxjerr një raport mbi gjendjen e personave të shpërngulur dhe emigrantë në botë. Në bazë të raporti gjatë vitit 2016 është vënë re rritje e numrit të emigrantëve në krahasim me një vit më parë. Sipas këtij raporti vetëm në vitin 2016 janë shpërngulur dhe emigruar 65 milion e 300 mijë persona. Rritja e numrit të emigrantëve gjatë vitit të kaluar ka qenë 22.5 milion njerëz. Shumë nga emigrantët janë shpërngulur në zona të ndryshme brenda vendit por shumë të tjerë janë larguar në drejtim të vendeve evropiane. Në Ditën botërore të Refugjatëve, ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel apelon për mbështetje më të madhe ndërkombëtare. “Gjermania nuk mund ta përballojë e vetme këtë sfidë”, ka qenë komenti i tij. “Kemi nevojë për përpjekje të përbashkëta ndërkombëtare dhe për një ndarje më të drejtë të përgjegjësisë, në mënyrë që të pakësohen vuajtjet e refugjatëve në të gjithë botën. Në qendër të përpjekjeve gjermane qëndron mbrojtja e këtyre njerëzve atje ku janë, si për shembull në Siri dhe në vendet e prekura fqinje”, tha Gabriel. Kryediplomati kujtoi sesi këto 5 vitet e fundit, buxheti i qeverisë gjermane për ndihmë humanitare në botën e jashtme është 10-fishuar, gjë që e bën Gjermaninë një prej donatorëve më të mëdhenj humanitarë. Vetëm vitin e kaluar, niveli i ndihmës së saj mbërrinte 1.3 miliardë eurot. Ndërkohë, pavarësisht vështirësive të kaluara, vet refugjatët në Gjermani ndihen të mirëpritur. Plot 65.6 milionë njerëz në të gjithë botën, një rekord absolut, janë aktualisht refugjatë, azilkërkues apo të zhvendosur brenda vendeve të tyre. Sipas UNHCR-së, kjo shifër e përllogaritur në fund të vitit 2016 është rritur me 300 mijë njerëz nga viti 2015. Sipas Filippo Grandit, komisionerit të lartë të OKB-së për refugjatët, duket se diplomacia ndërkombëtare ka dështuar sërish. “Duket se bota është e paaftë të arrijë paqen. Prandaj kemi konflikte të vjetra që vazhdojnë, konflikte të reja që nisin, e që të dyja këto largojnë njerëzit. Zhvendosja me dhunë është një simbol i luftërave që nuk mbarojnë kurrë”, deklaroi Grandi. Veç rrezikut të luftës dhe vuajtjeve të refugjatëve, Grandi paralajmëroi edhe për barrën e madhe që po mbahet nga shumë prej vendeve më të varfra të botës, pasi 84% e të zhvendosurve jetojnë në vende të varfra dhe me të ardhura të mesme. Ai shtoi se kjo bën që të ngrihet një pyetje shumë serioze morale, pasi, “si mund t’u kërkohet vendeve të varfra të pranojnë miliona refugjatë, ndërsa vendet e pasura nuk e bëjnë këtë?”. OKB shprehu shpresën e saj se ky rekord refugjatësh do të nxisë vendet e pasura të ndryshojnë pozicion, jo thjesht duke pranuar më shumë emigrantë, por duke investuar për promovimin e paqes dhe rindërtimin. Sipas OKB-së, vetëm vitin e kaluar nëpër botë u zhvendosën një numër rekord njerëzish, prej të paktën 65.3 milionë, që do të thotë se sot në mbarë globin, 1 në 113 vetë është refugjat, azilkërkues ose i shpërngulur brenda kufijve të vendit të vet.