Shtohen kritikat ndaj Theresa May
Kryeministrja Theresa May po kritikohet ashpër në qarqet politike për shkak të punës së saj në politikat e kursimit ekonomik dhe në procesin e Brexit.
Për shkak të politikave të saj popullariteti i kryeministres Theresa May ka rënë dukshëm edhe brenda partisë konservatore. Qeveria britanike vendosi që ti japë fund marrëveshjes që lejon vende të tjera të peshkojnë në ujërat territoriale britanike. Pakti në fjalë lejon anijet irlandeze, holandeze, franceze, gjermane dhe belge që të peshkojnë në zonat nga 6 deri në 12 milje detare nga bregdeti britanik. Ministri i ambienti Michael Gove tha se vendimi i qeverisë do të ndihmojë në rimarrjen e kontrollit të ujërave britanike. Në krahun tjetër, Irlanda e cilësoi vendimin një gabim që nuk i vlen askujt. Ndërsa nuk kanë reaguar ende vendet e tjera, mbase të ndërgjegjshme se Brexit padyshim që do të sillte një diskutim ët tillë, pavarësisht paktit të mëhershëm. Në të njëjtin kuadër, duket se u shpreh edhe Komisioni Europian, që tha se është në dijeni të situatës, por mendon se ligji evropian prej kohësh ka zëvendësuar konventën britanike me disa shtete të veçanta për peshkimin. Kjo e fundi shkon krahas marrëveshjes me BE, e cila lejon të gjithë anëtarët të peshkojnë në zonat nga 12 deri në 200 milje detare nga Britania. Konventa e veçantë u firmos në vitin 1964, para se Britania të ishte pjesë e BE dhe dalja nga ajo do të thotë se as anijet britanike nuk mund të peshkojnë më në ujërat e këtyre vendeve. Ministri britanik Michael Gove tha se Britania pas Brexit do të bëhet një vend i pavarur bregdetar. Analistët mendojnë se lëvizja e Londrës për t’i dhënë fund paktit të vogël të peshkimit bëhet si nxemje para se i njëjti diskutim të nisë me BE për të treguar vendosmërinë e Britanisë për të mos u trembur qëndrimi i ashpër i Unionit. Ndërkohë gjashtë nga 10 britanikë duan të mbajnë shtetësinë e tyre evropiane pas Brexit, përfshirë të drejtën për të jetuar, punuar, studiuar dhe udhëtuar në BE dhe shumë janë të përgatitur të paguajnë shuma të mëdha parash për ta bërë këtë. Sipas një kërkimi të kryer nga shkolla ekonomike e Londrës, mbështetja për ruajtjen e të drejtave është veçanërisht e fortë mes 18-24 vjeçarëve, 85 për qind e të cilëve duan të ruajnë shtetësinë e tyre evropiane përveç asaj britanike. Rreth 80 për qind e njerëzve që jetojnë në Londër po ashtu duan të kenë të njëjtat të drejta. Rezultatet vijnë si një presion mbi kryeministren Theresa May që të tërhiqet nga planet e saj për një Brexit të ashpër në favor të një marrëveshjeje që do të ruante lidhjet më të forta të mundshme tregtare pas daljes nga BR në 2019. Të pyetur se sa do të paguanin për të ruajtur shtetësinë evropiane, pjesa më e madhe u përgjigjën mbi 400 paundë.