Përfundimi i takimit të grupit G-20 në Hamburg të Gjermanisë
Në Hamburg të Gjermanisë ka përfunduar punimet takimi i grupit G-20. Takimi i 20 vendeve më të zhvilluara të botës u mbyll të shtunën në një atmosferë protestash të dhunshme dhe me Presidentin Donald Trump në qendër të vëmendjes.
Mes arritjeve të zotit Trump, ishin një takim i ngrohtë me presidentin rus, Vladimir Putin, një marrëveshje për armëpushim të pjesshëm për Sirinë dhe një premtim për përshpejtimin e marrëveshjes tregtare me Britaninë. Por komunikata përfundimtare e takimit nxori në pah qëndrimet e ndryshme me disa udhëheqës të 20-es për ndryshimin e klimës dhe një reagim ndaj perceptimit të tyre për politikën “Amerika e para” të presidentit Trump, që shihet gjerësisht si izolacioniste. Në deklaratën e tyre, udhëheqësit ranë dakord të “luftonin proteksionizmin”. Në ditën e fundit të takimit, President Trump u takua me udhëheqësit e Britanisë, Indonezisë, Singaporit, Japonisë dhe Kinës. Në një sesion për gratë sipërmarrëse, presidenti bëri një gjest pajtues ndaj organizatore së takimit të nivelit të lartë, kancelares gjermane Angela Merkel, ndoshta kritikja më e zëshme në takim ndaj politikave të Presidentit Trump për tregtinë dhe klimën. Presidenti Trump e vlerësoi kancelaren Merkel për organizimin e takimit, me gjithë protestat e vazhdueshme dhe u përshkallëzuan në Hamburg dhe përfshinë djegien e makinave dhe plaçkitjen e bizneseve. Takimi i fundit i ditës i zotit Trump ishte me Presidentin kinez Xi Jinping, me të cilin ai pritej të trajtonte çështjen e vështirë të Koresë së Veriut. Zoti Trump ka kritikuar udhëheqjen kineze duke thënë se nuk e ka përdorur ndikimin tek Koreja e Veriut për ta bindur të heqë dorë nga provat me raketa. Presidenti dhe delegacioni që e shoqëronte, u larguan nga Hamburgu menjëherë pas takimit me presidentin Xi. Ngërçi për ndryshimet klimaterike mes SHBA dhe vendeve të tjera në Samitin e G20 u kalua diplomatikisht, por jo me një zgjidhje finale. Liderët e 19 kombeve në samit rinovuan zotimin e tyre për të implementuar marrëveshjen e Parisit për klimën, pavarësisht tërheqjes amerikane. Ngërçi për këtë çështje dominoi ditën e fundit të bisedimeve në Hamburg, por vendet pjesëmarrëse ranë dakord për deklaratën e përbashkët. Në tekstin e kësaj të fundit shkruhet se anëtarët e G20 janë të ndërgjegjshëm për tërheqjen amerikane nga pakti i Parisit, por theksohet angazhimi i këtij vendi për të ulur ndotjen duke mbështetur rritjen ekonomike dhe përmirësimin e nevojave të sigurisë energjetike. Ekspertët thonë se teksti për të cilën ngulte këmbë SHBA dhe që mbështeste përdorimin e qymyrit e karburantit edhe për shumë kohë, duket se ka marrë një formë që të tjerët e kanë toleruar, pasi nuk janë të lidhur drejt për drejtë me të. Në deklaratën e publikuar të shtunën shkruhet gjithashtu se 19 vendet e tjera të G20 ranë dakord se marrëveshja e Parisit është e pakthyeshme. Duke konfirmuar marrëveshjen e kompromisit, kancelarja gjermane Angela Merkel kritikoi pozicionin e presidentit amerikan Trump, por ishte e kënaqur që vendet e tjera u shprehën kundër rinegocimit të paktit të Parisit, dicka që tingëlloi si izolim i SHBA. Por lëshimi për Amerikën është bërë në fushën e tregtisë, pasi megjithëse deklarata dënon proteksionizmin, në tekst pranohet roli i instrumentave ligjore mbrojtëse tregtare. “Liderët ranë dakord se nuk janë dakord”, ishte komenti i deklaratës nga analistë të ndryshëm, të cilët thonë se pjesëmarrësit në samit u përpoqën më shumë të kishin një tekst të firmosur nga të gjithë, sesa në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.