Krerët evropianë diskutojnë krizën e emigracionit
https://parstoday.ir/sq/news/world-i55304-krerët_evropianë_diskutojnë_krizën_e_emigracionit
Pak para nisjes së Samitit të Triestes për vendet e Ballkanit Perëndimor, u zhvillua një takim  mes Kancelares Angela Merkel, kryeministrit italian, Paolo Gentillioni dhe presidentit të Francës Emanuele Macron.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Korrik 13, 2017 05:18 Europe/Tirane
  • Krerët evropianë diskutojnë krizën e emigracionit

Pak para nisjes së Samitit të Triestes për vendet e Ballkanit Perëndimor, u zhvillua një takim  mes Kancelares Angela Merkel, kryeministrit italian, Paolo Gentillioni dhe presidentit të Francës Emanuele Macron.

Në përfundim, të tre dolën në një konferencë për mediat ku shprehën qëndrimet e tyre për emigrantët. Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel ka vlerësuar punën e bërë nga Italia për çështjen e emigrantëve. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, me dy presidentët, Merkel, që në mënyrë simbolike nisi edhe Samiti i Triestes, shprehu solidaritet me shtetin italian për politikat e emigracionit. “Italia ka bërë një punë të madhe për emigrantët dhe ne jemi në solidaritet me Italinë në politikat e migracionit. Të tre vendet tona duhet të përballen me emigracionin e paligjshëm përmes bashkëpunimit me Afrikën, veçanërisht në zonat si Nigeria dhe Libia, tha kancelarja e Gjermanisë. Ndërkohë, Gentilloni tha se Italia do të vazhdojë të bëjë pjesën e saj sa i përket çështjes së emigrantëve, ndërsa kërkoi më shumë bashkëpunim. Në fjalën e tij Gentiloni tha: “Italia ka bërë dhe do të vazhdojë të bëjë pjesën e saj në ndihmën dhe mikpritjen e emigrantëve. Politika për emigrantët nuk duhet tu besohet vetëm disa shteteve, por të jetë e shpërndarë në të gjitha vendet e BE-së”. Presidenti i Francës, Emanuelle Macron shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të marrë përgjegjësitë, por tha se nuk duhet lejuar emigrimi i paligjshëm. “Ne nuk mund të pranojmë burrat dhe gratë të cilët për arsye ekonomike vijnë në vendet tona. Kjo kategori dhe ata që kërkojnë azil, janë dy realitete të ndryshme”, ka thënë Macron. Është parashikuar që në fund të takimit të firmoset marrëveshja mbi bashkimin e transportit si një prej rezultateve konkrete të këtij Samiti, si dhe pritet miratimi i planit të veprimit shumë vjeçar mbi hapësirën rajonale ekonomike të Ballkanit, që përfshin tregtinë, investimet dhe integrimin dixhital.