Shtohen përçarjet e brendshme në qeverinë Trump
https://parstoday.ir/sq/news/world-i55904-shtohen_përçarjet_e_brendshme_në_qeverinë_trump
Ndër zhvillimet më të fundit në qeverinë e presidentit Donald Trump, John Spicer, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij.
(last modified 2025-09-04T21:15:56+00:00 )
Korrik 23, 2017 08:05 Europe/Tirane
  • Shtohen përçarjet e brendshme në qeverinë Trump

Ndër zhvillimet më të fundit në qeverinë e presidentit Donald Trump, John Spicer, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer dha dorëheqjen në formë protestë kundër ndryshimeve në ekipin e komunikimit. Sipas mediave amerikane, Spicer la detyrën pasi nuk ishte dakord me emrin e zgjedhur nga Presidenti Donald Trump për postin e drejtorit të ri të komunikimit. Anthony Scaramuçi, një financier i njohur i “Wall Street” është përzgjedhur për rolin që Sean Spicer kryente pjesërisht. “New York Times” raporton se Spicer kundërshtoi mjaft zëshëm emërimin e Scaramuçit, të cilin e  cilësoi një gabim shumë të madh. Mediat amerikane gjithashtu raportojnë se pas dhënies së dorëheqjes, vetë presidenti Trump i kërkoi Spicer të qëndrojë, por ai nuk pranoi. Sean Spicer dhe konferenca e tij për shtyp u bënë mjaft të famshme në SHBA për vetë karakterin mjaft shoqëror të zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë dhe sidomos për sikletin që ai shfaqte mjaft qartë kur i duhej të sqaronte deklaratat kontradiktore apo mesazhet në “Twitter” të shefit të tij. Javët e fundit, Spicer ishte tërhequr nga objektivi i kamerave dhe flitej për një largim të mundshëm të tij, por kurrsesi në këtë formë.  Ish-zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, ka mohuar zërat për një përçarje të mundshme në administratën e Presidentit, Donald Trump, ndërsa ka deklaruar se dorëheqja e tij ishte një vendim i marrë në  të mirë të administratës. 45-vjeçari deklaroi se dëshironte që t’i jepte mundësi drejtorit të ri të komunikimeve, Anthony Scaramuçi, një mundësi për të ushtruar sa më mirë detyrën e re përmes bashkëpunimit me zëdhënësen e re të Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders. Sipas Spicer, është më mirë që kuzhina e komunikimit të ketë vetëm një shef. “Ka qënë një nder dhe një privilegj që t’i shërbej Presidentit të këtij vendi dhe nuk besoj se do të kem mundësinë ndonjëherë që ta falenderoj atë aq sa duhet për mundësinë që më dha. Unë thjesht mendova se është në interesin më të mirë të departamentit të komunikimeve, që organizmi i shtypit të në Shtëpinë e Bardhë të mos ketë shumë kuzhinierë në Kushinë. Vendimi im ishte një rekomandim që i dhashë Presidentit, në mënyrë që Anthony dhe Sarah të kenë një fillim të ri në punën e tyre.” Megjithatë, mediat një ditë më parë raportuan për përçarje të mundshme në stafin e presidentit. Gazeta NYT shkroi Spicer nuk e kishte pritur mirë emërimin e Anthony Skaramuçit në krye të departamentit të komunikimeve, pasi sipas tij, ky i fundit nuk ka eksperiencën e nevojshme për të mbajtur mbi shpatulla një detyrë të tillë. Sean Spicer ka qenë një nga prurjet e shefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë, Reince Preibus, ndaj nuk dihet ende nëse largimi i tij nga detyra mund të ketë sjellë përçarje të mëtejshme në organikën organizative të Presidencës amerikane. Dorëheqja e Sean Spicer është një humbje e madhe edhe për shefin e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Reince Preibus. Ky i fundit e kishte bindur Presidentin për afrimin e ish-zëdhënësit në detyrë, ndërsa sipas burimeve mediatike, Trump kishte dyshime mbi besnikërinë e Spicer. Megjithatë, ende nuk dihet se sa do të ndikojë diçka e tillë në marrëdhënien e liderit të Uashingtonit dhe shefit të stafit në Shtëpinë e Bardhë.