Greqia emeton bondin e parë që prej 2014
(last modified Tue, 25 Jul 2017 17:40:31 GMT )
Korrik 25, 2017 19:40 Europe/Tirane
  • Greqia emeton bondin e parë që prej 2014

Greqia do të emetojë të martën një bond me vlerë 4 miliardë euro dhe afat maturimi 5 vjeçar.

Kjo do të jetë hera e parë që nga viti 2014, që Greqia do të tentojë të huazojë nga tregjet ndërkombëtare financiare, në kohën që qysh prej fillimit të krizës Greqia është financuar ekskluzivisht nga programet e shpëtimit të ofruara nga partnerët e Eurozonës dhe Fondi Monetar ndërkombëtar. Ministria greke e Financave njoftoi të hënën në mesditë se ka mandatuar gjashtë banka të mëdha ndërkombëtare që të fillojnë të martën procedurën e emetimit të bondit. Bankat janë: BNP Paribas, Bank of America – Merrill Lynch, Citigroup, Deutsche Bank, Goldman Sachs dhe HSBC. Qeveria greke synon që interesi i bondit të jetë maksimumi 4,2%. Por kjo duket e vështirë të arrihet dhe interesi më i mundshëm parashihet të jetë te 4,3 deri 4,5%. Qeveria Tsipras kërkon me çdo kusht një interes më të ulët, nga sa ishte bondi i mëparshëm, i emetuar në vitin 2014, kur në krye të qeverisë ishte konservatori Antonis Samaras. Atëherë interesi kishte qenë gati 5%.

 

Tags