Demokratët kërkojnë shkarkimin e dhëndrit të Trump
Një grup demokratësh në Dhomën e Përfaqësuesve në Amerikë, kanë kërkuar shkarkimin e dhëndrit të Donald Trump presidentit amerikan, për shkak të kontakteve të tij me Rusinë.
Letra ku kërkohet dorëheqja e dhëndrit të presidentit amerikan, është nënshkruar nga 9 përfaqësues demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhëndri i presidentit amerikan Jared Kushner akuzohet për kontakte me një avokate ruse e cila është e afërt me qeverinë e Rusisë. Mirëpo dhëndri i Donald Trump ka mbrojtur veprimtarinë e tij gjatë fushatës elektorale të presidentit. Pasi ka dhënë dëshminë e tij përpara panelit të Senatit që heton influencën e dyshuar ruse në zgjedhje, Jared Kushner ka deklaruar për mediat se të gjitha aksionet e tij kanë qenë me vend dhe ndodhën gjatë rrjedhës normale të ngjarjeve, duke iu referuar këtu fushatës. Në një konferencë shtypi në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, 36-vjeçari, bashkëshort i Ivanka Trump, ka mohuar gjithashtu çdo mpleksje me Rusinë. Sa i takon dëshmisë së tij përpara panelit të Komitetit të Inteligjencës, ai ka theksuar se, ka qenë tërësisht transparent, duke ofruar të gjithë informacionin e kërkuar. Më lejoni të shprehem qartë, unë nuk u mpleksa me Rusinë. Askush tjetër nga stafi i fushatës nuk u mpleks. Unë nuk kam kryer kurrë veprime të papërshtatshme, ka thënë Kushner.