Venezuela në prag të zgjedhjeve parlamentare
Opozita në Venezuelë i bëri thirrje mbështetësve të saj për demonstrata të tjera, pasi një numër i vogël protestuesish sfiduan urdhrin e qeverisë për ndalimin e manifestimeve deri ditën e martë, para zgjedhjeve të diskutueshme të caktuara nga presidenti Nikolas Maduro.
Presidenti Maduro paralajmëroi të enjten se kushdo që sfidon urdhrin për ndalimin e demonstratave rrezikon deri në 10 vjet burg. Protestuesit po demonstrojnë kundër votimit të diskutueshëm të së dielës, kur qeveria planifikon të votojë për krijimin e Asamblesë Kushtetuese që do të ndryshojë dokumentin themeltar të vendit. Kritikët akuzojnë se vetëm mbështetësit e Maduros janë kandidatë për Asamblenë Kushtetuese dhe se ata mund t’i japin atij të drejtën për të ndenjur në detyrë për një kohë të pacaktuar. Presidenti i Kolumbisë, Juan Manuel Santos deklaroi se vendi i tij nuk do t'i njohë rezultatet e votimit të së dielës në Venezuelën fqinje, ku do të zgjidhet një asamble e re me pushtetin, që të rihartojë kushtetutën. Një veprimi të tillë, sipas Santosit, i mungon legjitimiteti dhe për këtë arsye, nuk ka sesi i pranon rezultatet. Votimin e kërkoi kreu i shtetit venezuelian, Nicolas Maduro, në kohën kur protestat kundër qeverisë së tij janë përshkallëzuar ndjeshëm, që prej muajit maj. Opozita e sheh këtë lëvizje të Maduros, si hap drejt diktaturës. Asambleja e re kushtetuese, me 545 anëtarë, do të rivalizojë kuvendin kombëtar, të kontrolluar aktualisht nga opozita. Duke folur në emër të vendit të tij, Santos tha se këmbëngul në një zgjidhje paqësore të situatës. "Nuk isha dakord me thirrjen e kësaj asambleje, ashtu siç nuk ishte dakord i gjithë komuniteti ndërkombëtar. Origjina e saj është ilegjitime dhe në këtë arsyetim, rezultati nuk mund të njihet. Unë këmbëngul në një zgjidhje të paqtë, të shpejtë dhe demokratike, të gjendjes së krijuar, por dua sidoqoftë të shpreh edhe një herë solidaritetin me popullin venezuelian, me shpresën që të dalë shumë shpejt nga errësira", u shpreh presidenti kolumbian, Santos. Përleshjet mes forcave qeveritare dhe demostruesve në Venezuelë kanë qenë thuajse të përditëshme. Maduro i bëri thirrje opozitës të ndalë rebelimin dhe denoncoi Shtetet e Bashkuara për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj 13 individëve të lidhur me qeverinë venezueliane, si dhe kompaninë shtetërore të naftës, PDVSA, duke e cilësuar një formë presioni për anulimin e votimit.