Sulmet terroriste në Spanjë shkaktuan një valë dënimi global
Sulmet terroriste në Spanjë janë dënuar nga liderë dhe autoritete të ndryshme politike dhe fetare të botës.
Sipas agjencisë së lajmeve IRNA, duke cituar agjencinë e lajmeve AFP, familja mbretërore e Spanjës në tuiter ka shkruar: Ata janë vrasës, kriminelë që nuk mund të na frikësojnë neve. E gjithë Spanjë është Barcelonë. Presidenti rus Vladimir Putin ka dënuar po ashtu sulmin terrorist të kohëve të fundit në Barcelonë, Spanjë, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të "bashkojë forcat" kundër terrorizmit. "Ne e dënojmë me forcë këtë krim brutal dhe cinik kundër civilëve", tha Putin të enjten. "Ajo që ka ndodhur përsëri thekson nevojën që bashkësia globale të bashkohet me përpjekjet për të luftuar kundër forcave të terrorizmit", shtoi kreu i shtetit rus. Edhe lideri i katolikëve të botës Papa Francesku është lutur për viktimat e kësaj ngjarje dhe ka shprehur soldiarizim me të lënduarit dhe familjet e viktimave. Edhe Presidenti francez ka shprehur solidaritet me Barcelonën. Në një postim në Twitter Emmanuel Macron duke e përshkruar incidentin si një sulm tragjik shprehet se “ne mbetemi të bashkuar dhe të vendosur”. Ndërkaq Ministri Bushati përmes një deklarate për mediat e dënoi në termat më të ashpër këtë akt barbar duke shprehur solidaritetin për qëndresën e popullit spanjoll, u transmetoi ngushëllime familjeve dhe të afërmve të viktimave. “Shqipëria do të vijojë të qëndrojë me vendosmëri përkrah Spanjës e vendeve mike dhe aleate në luftën kundër terrorizmit” thekson Bushati. Sulmin terrorist në Barcelonë e kanë dënuar edhe Jean Claude Juncker, kryetar i Komisionit Evropian dhe Donald Tusk, kryetar i Këshillit Evropian. Grupi terrorist ISIS mori përgjegjësinë për sulmin në Barcelonë, që zyrtarët thonë se la 13 të vrarë dhe dhjetëra persona të tjerë u plagosën në sulmin e së enjtes kur një person përplasi një furgon mes dhjetëra vetëve në qendër të Barcelonës. Policia tha se 10 nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë. Në një deklaratë të lëshuar nga krahu mediatik i grupit terrorist– agjensia e lajmeve Amaq – thuhet se sulmi i së enjtes u krye nga “ushtarë të ISIS”. Dëshmitarë nga vendngjarja kanë publikuar foto dhe video nga momenti i tmerrit, ndërsa atje shkuan automjetet e emergjencës, pas përplasjes së ndodhur në sheshin ikonë “Las Ramblas” të frekuentuar shumë nga turistët. Njerëzve aty pranë iu tha të shmangin zonën, ndërsa shërbimet e emergjencës i janë përgjigjur menjëherë atij që me të gjitha gjasat do të rezultojë një sulm terrorist në kryeqendrën e Katalunjës. Linjat e metrosë u mbyllën menjëherë, sikurse edhe dyqanet përreth zonës, ndërsa këmbësorët vraponin nga të katër anët në kërkim të strehimeve të sigurta, teksa policia zbarkoi me forca të shumta në zonë.