Reagimet ndaj sulmit terrorist në Barcelonë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i57416-reagimet_ndaj_sulmit_terrorist_në_barcelonë
Të paktën 13 vetë humbën jetën dhe 100 të tjerë u lënduan pasi një furgon hyri në zonën e famshme turistike të Barcelonës, Las Ramblas, duke përplasur kalimtarët e duke ngjallur tmerr dhe panik.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Gusht 18, 2017 15:03 Europe/Tirane

Të paktën 13 vetë humbën jetën dhe 100 të tjerë u lënduan pasi një furgon hyri në zonën e famshme turistike të Barcelonës, Las Ramblas, duke përplasur kalimtarët e duke ngjallur tmerr dhe panik.

Grupi terrorist ISIS ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin në Barcelonë duke thënë se është kryer nga ushtarët e ISIS. Grupi terrorist nuk ka dhënë as prova dhe as detaje të mëtejshme për të mbështetur këtë pretendim. Një person u arrestua në Barcelonë në lidhje me sulmin ku deri tani janë konfirmuar 13 të vdekur dhe 100 të plagosur. Ky sulm i shëmtuar terrorist ka shkaktuar reagime të ashpra nga të gjitha vendet e botës. Në një deklaratë të premten, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, z. Behram Kasemi, u shprehu ngushëllime qeverisë dhe kombit spanjoll, si dhe u solidarizua  me familjet e viktimave dhe me të plagosurin në sulmin terrorist të ISIS. "Pas humbjeve të njëpasnjëshme në fushën e betejës në rajonin e Lindjes së Mesme, ekstremistët tani kanë vendosur të kryejnë sulme terroriste pa dallim në mbarë botën, që synojnë civilët e pafajshëm", tha Kasemi. "Tani, asnjë vend, madje as përkrahësit e fshehtë të terroristëve, nuk mund të ndjehen të imunizuar ndaj kësaj goditjeje ndërkombëtare dhe gjendjes së keqe", shtoi zyrtari iranian. “Gjermania qëndron në krah të Spanjës, në vendosmërinë e saj për të mos lejuar sulmet terroriste të marrin jetë njerëzish”, është shprehur Kancelarja gjermane, Angela Merkel këtë të premte, në reagimin e parë pas sulmit të militantëve islamikë që vranë 13 persona në Barcelonë. “Këto sulme vrastare na treguan edhe njëherë përbuzjen e madhe ndaj njerëzimit që sundon mes terrorizmit, - shton më tej Merkel. - Jemi të gjithë të bashkuar në vendosmërinë tonë për të mos i lejuar këta kamikazë, që të na ndalin të jetojmë me stilin tonë të jetesës”. Merkel shtoi se Barcelona, në veçanti, shquhet për tolerancë, bukuri dhe për takimet paqësore mes njerëzve të kulturave të ndryshme. “Terrorizmi mund të na shkaktojë disa orë të hidhura dhe të tmerrshme, siç ndodhi së fundi edhe në Spanjë, por nuk mundet kurrsesi të na mposhtë”, thotë kryetarja e ekzekutivit gjerman. Presidenti rus Vladimir Putin i shprehu ngushëllimet e tij Mbretit të Spanjës King Felipe VI lidhur me sulmin në Barcelona, informoi zyra e shtypit e Kremlinit. “Ne dënojmë me vendosmëri këtë krim mizor dhe cinik kundër civilëve” Kjo që ndodhi konfirmon dhe një herë nevojën për një bashkim real të përpjekjeve të gjithë komunitetit botëror në një luftë pa kompromis kundër forcave të terrorizmit” shkruhet në telegramin e ngushëllimit të presidentit rus Vladimir Putin. Presidenti i SHBA, Donald Trump, shkruante në Twitter se “Shtetet e Bashkuara e dënojnë sulmin në Barcelonë të Spanjës dhe do të bëjnë gjithçka të nevojshme për të ndihmuar”. Edhe Presidenti francez ka shprehur solidaritet me Barcelonën. Në një postim në Twitter Emmanuel Macron duke e përshkruar incidentin si një sulm tragjik shprehet se “ne mbetemi të bashkuar dhe të vendosur”. “Mendimet e mia janë me viktimat” shtoi ai. Shtetas nga 24 shtete të ndryshme të botës janë mes 13 të vdekurve dhe mbi 100 të plagosurve në sulmet e ndodhura në bulevardin Las Ramblas bën të ditur policia spanjolle.