Reagimi i Obamës ndaj anulimit të ligjit DACA
(last modified Wed, 06 Sep 2017 05:40:16 GMT )
Shtator 06, 2017 07:40 Europe/Tirane
  • Reagimi i Obamës ndaj anulimit të ligjit DACA

Barack Obama ish president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka reaguar ndaj anulimit të ligjit mbrojtës për fëmijët emigrantë duke thënë se vendimi i marrë nga presidenti nuk ishte i nevojshëm nga aspekti ligjor. Ky është një vendim politik dhe krijon dyshime morale, ka thënë në fjalën e tij ish presidenti amerikan.

Skema e administratës “Obama” për të mbrojtur emigrantët e rinj pa dokumente do të eliminohet. Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Sessions konfirmoi zyrtarisht vendimin e qeverisë, duke thënë se programi i njohur me siglën “DACA”, të cilin e cilësoi një mënyrë për të shmangur ligjet e emigracionit, do të zhbëhet gradualisht. “DACA”, ose Shtyrja e Veprimit ndaj Emigrantëve Fëmijë, u miratua nga presidenti amerikan Barack Obama në vitin 2012 dhe mbron rreth 800 mijë emigrantë, kryesisht nga vendet latine, që mbërritën në SHBA ilegalisht si të mitur. Presidenti Donald Trump u shfaq i ashpër ndaj emigracionit gjatë fushatës dhe premtoi anulimin e “DACA”-s sapo të zgjidhej, megjithëse më vonë pranoi se ishte një temë shumë e vështirë. “Kombi duhet t’i vendosë një kufi numrit të emigrantëve që pranojmë çdo vit. Nuk mund të pranojmë këdo që dëshiron të vijë këtu, kaq e thjeshtë është”, tha Jeff Sessions, kryeprokuror i SHBA-ve.