Parlamenti i Katalonjës voton për organizimin e referendumit për pavarësi
https://parstoday.ir/sq/news/world-i58457-parlamenti_i_katalonjës_voton_për_organizimin_e_referendumit_për_pavarësi
Katalonja pritet të miratojë një ligj të mërkurën duke hedhur themelet për një referendum për pavarësi më 1 tetor, i cili kundërshtohet ashpër nga Madridi, duke vendosur një kurs për krizën më të thellë politike të Spanjës në dekada.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Shtator 06, 2017 15:32 Europe/Tirane
  • Parlamenti i Katalonjës voton për organizimin e referendumit për pavarësi

Katalonja pritet të miratojë një ligj të mërkurën duke hedhur themelet për një referendum për pavarësi më 1 tetor, i cili kundërshtohet ashpër nga Madridi, duke vendosur një kurs për krizën më të thellë politike të Spanjës në dekada.

Parlamenti rajonal i Katalonjës pranoi të votojë mbi projekt-ligjin e kontestuar me 72 vota pro, 60 kundër dhe tre abstenime nga kundërshtarët e pavarësisë për rajonin e pasur verilindor të Spanjës. Gjatë votimit, grupe të vogla protestuesish pro dhe kundër pavarësisë u mblodhën jashtë parlamentit. Deputetët pro-separatistë, të cilët kontrollojnë asamblenë rajonale, pritet të miratojnë ligjin më vonë të mërkurën, duke injoruar një vendim të Gjykatës Kushtetuese të Spanjës, që e ka konsideruar ligjin e propozuar jokushtetues. Presidenti katalanas Carles Puigdemont dhe zyrtarë të tjerë të lartë qeveritarë katalanas do ta nënshkruajnë menjëherë atë. Carlos Carrizosa i qendrës së djathtë Ciudadanos, grupi kryesor i opozitës në parlamentin katalan, akuzoi ligjvënësit pro-separatist për reduktimin e asamblesë rajonale dhe "transformimin e saj në një teatër të thjeshtë". Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy u zotua të sfidojë menjëherë ligjin në Gjykatën Kushtetuese. Qeveria e tij ka kërcënuar gjithashtu veprim ligjor kundër figurave politike të lartë katalanase të përfshirë në projektin e referendumit për pavarësi. Përgjigjja e qeverisë ndaj miratimit të ligjit do të jetë "e shpejtë por jo e nxituar", tha të mërkurën gjatë një interviste televizive Ministri i Punëve Publike të Spanjës, Inigo de la Serna. Në një postim në Twitter , presidenti i parlamentit katalan, Carme Forcadell, tha se kishte kërkuar që gjyqtarët në Gjykatën Kushtetuese të skualifikoheshin, duke i quajtur "një zgjatje tjetër e shtetit që ka humbur të gjithë legjitimitetin". Shumica e gjyqtarëve të gjykatës janë emëruar nga ligjvënësit konservatorë. Katalonja, një rajon prej 7.5 milionë banorësh me gjuhën dhe kulturën e vet që zë rreth një të pestën e prodhimit ekonomik të Spanjës, ka kompetenca të rëndësishme mbi çështje të tilla si arsimi, kujdesi shëndetësor dhe mirëqenia sociale. Por, recesionet ekonomike të Spanjës dhe një perceptim se rajoni paguan më shumë në taksa se sa merr në investime dhe transferime nga Madridi, kanë ndihmuar zërat që shtyjnë drejt pavarësisë së Katalonjës. Shtimi i rritjes së ndjenjës separatiste  u shkaktua nga një vendim i vitit 2010 i Gjykatës Kushtetuese, i cili hodhi poshtë disa pjesë të statutit të autonomisë të vitit 2006, i cili i dha fuqi të reja Katalonjës dhe e njohu atë si "një komb". Ligjbërësit që mbështesin pavarësinë fituan një shumicë absolute në parlamentin rajonal të Katalonjës me 135 vende për herë të parë në zgjedhjet e një shtatorit të vitit 2015. Qeveria që doli nga ky votim u zotua të fillojë procesin e shkëputjes nga Spanja. Kryeministri spanjoll Rajoy u përgjigj duke premtuar investime të reja në Katalonja dhe dërgoi rregullisht zëvendësin e tij në rajon, por nuk bëri reforma të rëndësishme lidhur me ndarjen e pushteteve gjë që kërkohej me ngulm nga autoritetet katalanase.