Shpërthim në metronë e Londrës
Një shpërthim në metronë e Londrës ka shkaktuar 20 të plagosur, disa prej të cilëve kanë lëndime në fytyrë.Dëshmitarët në vendngjarje flasin për një lëmsh flakësh dhe vrapimin e rrëmujshëm të njerëzve të tmerruar.
Policia gjeti një kovë të mbushur me lëndë plasëse në vagonin e njërit prej trenave në stacionin Parsons Green, ku shërbimet për momentin janë pezulluar. Mekanizmi i improvizuar shpërthyes nuk ka shkaktuar dëme të mëdha, por policia po e trajton si episod me sfond terrorist. Ekspertët flasin për një bombë artizanale aspak të sofistikuar. Udhëtarët janë evakuar me shpejtësi nga zona e mbushur menjëherë nga forca të shumta policore. Scotland Yard-i ka zgjedhur ta mbajë publikun të informuar përmes rrjeteve sociale Twitter e Facebook, ku sqaron se do të ofrojë informacione të detajuara sapo të zbardhet situata. Përdoruesit e kësaj linje janë këshilluar që të gjejnë rrugë alternative e ta shmangin sa më shumë që të munden zonën e rrethuar menjëherë nga policë të armatosur.