Përpjekjet e qeverisë spanjolle për të ndalur referendumin në Katalunja
https://parstoday.ir/sq/news/world-i59239-përpjekjet_e_qeverisë_spanjolle_për_të_ndalur_referendumin_në_katalunja
Qeveria spanjolle i ka dhënë vetëm 48 orë kohë qeverisë rajonale në Katalunjë, për të braktisur planet “e jashtëligjshme” për referendum, në të kundërt do të humbasin kompetencat buxhetore.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Shtator 16, 2017 13:31 Europe/Tirane

Qeveria spanjolle i ka dhënë vetëm 48 orë kohë qeverisë rajonale në Katalunjë, për të braktisur planet “e jashtëligjshme” për referendum, në të kundërt do të humbasin kompetencat buxhetore.

Ministri i Financave, Cristobal Montoro tha se një mekanizëm është aprovuar për shtetin, që të marrë kontrollin e financave të rajonit autonom. Madridi synon fuqishëm të ndalë qeverinë katalanase të shpenzojë paratë publike për referendumin e parashikuar për pavarësi. Katalanasit vet janë duke sfiduar urdhrin e gjykatës për të ndalur votimin që pritet të mbahet më 1 tetor. Presidenti katalanas, Carles Pugdemont nisi fushatën e tij për votën “pro” mesnatën e së enjtes në qytetin Tarragona, duke iu thënë simpatizantëve të mbledhur në një ish-arenë demash “të votojnë, pasi kështu do të mund të hedhin dritë mbi errësirën që ka zgjatur kaq shumë vite”. Dhe turma e ekzaltuar iu kundërpërgjigj në kor me thirrjet “Pavarësi”, “Do të votojmë” dhe “Nuk kemi frikë”, siç raporton agjencia e lajmeve “AFP”. Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy e ka çuar këtë çështje drejtpërdrejt në Barcelonë, ku të premten i është drejtuar një takimi të Partisë së tij Popullore në kryeqytetin katalanas. E nëse ky ultimatim nuk përmbushet, qeveria qendrore e Spanjës do të marrë frerët e financimit të shërbimeve më jetike publike në rajon, shtoi më tej ministri Montoro. “Këto masa po ndërmerren për të garantuar se as edhe një euro e vetme nuk do të shkojë për financimin e akteve ilegale”, është cituar të ketë thënë ai për agjencinë e lajmeve “Reuters”, pas takimit të kabinetit qeveritar në Madrid. “Kjo marrje kompetencash do të zgjasë për aq kohë sa do të zgjasë edhe kjo situatë e paligjshme”, shpjegoi më tej ai. Financat publike janë një çështje veçanërisht kontradiktore për katalanasit, të cilët prej vitesh kanë kontribuuar më shumë në buxhetin e shtetit, nga sa kanë marrë përmes shpenzimeve qeveritare apo shërbimeve publike. Ndërkohë, Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker paralajmëroi se do të marrë në konsideratë ndalimin e bërë nga Gjykata Kushtetuese dhe Parlamentit spanjoll për të dhënë një qëndrim zyrtar në lidhje me pavarësinë e Katalunjës, objekt i një referendumi mjaft të diskutueshëm parashikuar më 1 tetor. “Ne jemi shprehur gjithnjë në lidhje me këtë çështje se do të ndjekim duke respektuar ndalimin e Gjykatës Kushtetuese spanjolle dhe atë të Parlamentit spanjoll”, deklaroi Juncker për Euronews, duke rikujtuar se ky qëndrim ishte vendosur nga një prej paraardhësve të tij në krye të ekzekutivit evropian, Romano Prodi. Nëse në këtë kuadër, një “po” për pavarësinë e Katalunjës do të ndodhë një ditë, ne do të respektojmë këtë alternativë”, vijoi Juncker, duke shtuar se mbetej e gjitha për t’u parë në të ardhmen. Separatistët në rajonin shumë të pasur ekonomikisht, në verilindje të Spanjës, kanë vijuar të promovojnë projektin e referendumit, pasi fituan kontrollin e Parlamentit rajonal në vitin 2015, të nxitur nga pakënaqësia shumë e madhe ndaj qeverisë së Madridit.