Protesta në Nju Jork kundër politikave të Trump
Në përkrahje të protestave në St. Louis, edhe banorët e nju Jorkut janë ngritur në protesta kundër racizmit dhe kundër politikave të presidentit amerikan Donald Trump.
Gjatë natës së tretë të protestave të dhunshme në qytetin St. Louis në SHBA më shumë se 80 persona u arrestuan, protesta që nisën pas lirimit nga akuzat të një polici të bardhë që vrau një person me ngjyrë. Të premten, gjykata në St. Louis pushoi çdo procedim ndaj 36-vjeçarit, Jason Stockley, për vrasjen e Anthony Lamar Smith, i cili u qëllua për vdekje pas një ndjekjeje policore në vitin 2011. I menjëhershëm ishte reagimi i mijëra vetëve në qytet, të cilët protestuan edhe dhunshëm kundër këtij vendimi. Policia e St. Lousit në Missouri tha se protestuesit e dhunshëm përdorën mjetet rrethanore, madje edhe kimikate për të sulmuar agjentët, disa prej të cilëve kanë mbetur të plagosur. Autoritetet thanë se, mes të arrestuarve kishte edhe njerëz të armatosur me armë zjarri. Kryetari i Bashkisë së qytetit, Lyda Krewson tha se shumica e protestuesve ishin paqësorë dhe thjesht ushtruan të drejtën e tyre, por mes tyre kishte edhe grupe individësh që u cilësuan kriminelë.