Franca kërkon reformimin e BE
Presidenti francez i bëri thirrje Bashkimit Europian për krijimin e një force ushtarake mbrojtëse, si pjesë e vizionit të tij për të ardhmen e bllokut.
Duke paraqitur një seri reformash, Emmanuel Macron propozoi gjithashtu bashkëpunim më të madh në fushat e sigurisë dhe luftës kundër terrorizmit. Macron mori pushtetin më maj, me premtimin se do të përforcojë Eurozonën dhe do të thellojë integrimin europian para “Brexit”. Por planet e tij për reforma brenda Francës kanë shkaktuar mjaft polemika dhe protesta, e ndërsa popullariteti i tij bie ndjeshëm, ekspertët mendojnë se thirrja për ushtrinë europiane është një taktikë për të tërhequr vëmendjen. Ideja e ushtrisë së përbashkët europiane nuk është asgjë e re dhe diskutohet prej kohësh, por nga Universiteti i Sorbonës, Macron nguli këmbë fort në këtë temë dhe tha se dëshiron që Bashkimi Europian të përmirësojë sistemet e përbashkëta mbrojtëse, e të ketë një forcë të përbashkët ushtarake me aftësi autonome për t’u hedhur në veprim.“Europa që ne njohim është tepër e dobët, tepër e ngadaltë dhe shumë jo efikase. Por vetëm Europa mund të na japë mjete për të vepruar në skenën botërore, ndërsa përballemi me sfidat e ditës”, deklaroi Macron. Mes propozimeve të tjera, veç buxhetit të përbashkët për ushtrinë europiane dhe një akademi për ta stërvitur atë, Macron tha se BE-ja duhet të krijojë një taksë unike europiane për transaksionet financiare. Anëtarët europianë të aleancës së NATO-s prej një kohe të gjatë e kanë marrë të mirëqënë se Shtetet e Bashkuara do të ishin gjithnjë çadra e tyre e sigurisë. Për shkak të kësaj, europianët, me pak përjashtime, kanë injoruar apelet e disa administratorëve amerikanë radhazi për të marrë më shumë përsipër nga barra kolektive e sigurisë dhe mbrojtjes. Sidoqoftë, në vend të fokusit për forcimin e NATO-s, disa liderë europianë tani thonë se është koha që Bashkimi Europian të ketë ushtrinë e tij. Por, me Europën e ndarë dhe të dobësuar nga kriza e borxheve, me krizën e refugjatëve në vazhdim dhe me rritjen e lëvizjeve populiste në të gjithë kontinentin, gjëja e fundit për të cilën Europa ka nevojë është ushtria e vet. Jean-Claude Juncker, presidenti i Bashkimit Europian mbështet idenë e një force europiane. Shpresa e tij është që një komponent më i fortë mbrojtjeje për Europën do t’i jepte Komisionit – e jo shteteve anëtare – më shumë pushtet për çështje të mbrojtjes.