Vazhdon pesimizmi i BE-së për Brexit-in
(last modified Thu, 28 Sep 2017 18:04:10 GMT )
Shtator 28, 2017 20:04 Europe/Tirane
  • Vazhdon pesimizmi i BE-së për Brexit-in

Negociatorët nga Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian do ta përfundojnë të enjten raundin e katërt të negociatave në Bruksel.

Liderët evropianë duhet ta shtyjnë vendimin për në muajin tetor, në të cilin duhet të vendosin nëse bisedimet për Brexit janë zhvilluar mjaftueshëm për të kaluar në negociatat për tregti, është bërë e ditur përmes një draft rezolute nga Parlamenti Evropian. Pa “një arritje të madhe”, liderët duhet të shtyjnë vlerësimin, për të cilin do të diskutohet në muajin e ardhshëm gjatë një samiti, është thënë përmes rezolutës, të cilin do ta votojnë anëtarët e Parlamentit Evropian gjatë javës së ardhshme në Strasburg. Sipas rezolutës thuhet se Parlamenti Evropian” vlerëson se gjatë raundit të katërt të bisedimeve nuk është arritur përparim i mjaftueshëm për të drejtat e qytetarëve, çështjen e Irlandës dhe Irlandës Veriore, dhe obligimeve financiare Mbretërisë së Bashkuar”. Anëtarët e Parlamentit Evropian duhet të vendosin për një marrëveshje për largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian deri në vitin 2019. Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, i cili përfaqëson vendet anëtare të BE-së, ka thënë pas takimit me kryeministren britanike Theresa May në Londër se “nuk është arritur përparim i mjaftueshëm” deri më tash. BE i ka pritur prej muajsh ofertat konkrete të Britanisë së Madhe për negociatat e Brexit. Tani vjen propozimi nga Londra. Grindja mes dy ministrive britanike lidhur me Brexit ka marrë fund. Deri më tani mes ministrit britanik të Financave, Philip Hammond dhe atij të Tregtisë Liam Fox nuk kishte ujdi lidhur me negociatat e Brexit. Hammond, që konsiderohet si proeuropian është për rrugën e “butë” të daljes nga BE, Fox është një kundërshtar i pasionuar i BE-së dhe pro Brexit të “ashpër”. Tani duket se mes dy ministrave të qeverisë së Theresa Mayt grindja për rrugën se si duhet zhvilluar Brexit është zgjidhur. “Jemi gati” thuhet në Londër. Ata kanë dalë tani me një propozim të përbashkët për fazën e ndërmjetme të daljes nga BE. Dy ministrat britanikë propozojnë një fazë të ndërmjetme për përmbushjen e procesit të Brexit të planifikuar në vitin 2019. Me këtë të dy ministrat Hammond dhe Fox duan t’i japin “më shumë siguri” ekonomisë. Kjo fazë e ndërmjetme, megjithatë nuk duhet të “jetë e pakufizuar”, shkruajnë ata, dhe as të tentojë një anëtarësim të ri përmes derës së pasme. Në këtë fazë të ndërmjetme Britania e Madhe “do të jetë jashtë unionit doganor” dhe nuk do të jetë e lidhur më me marrëveshjet europiane. Grindje sundon edhe lidhur me pretendimet financiare të Brukselit ndaj Britanisë së Madhe që kapin shifrën e 100 miliardë eurove. Sipas “Sunday Telegraph”, qeveria e Londrës është e gatshme të paguajë 40 miliardë euro, në rast se Brukseli është i gatshëm të hapë negociatat për një marrëveshje të re tregtie. Por BE nuk dëshiron të flasë për marrëdhëniet e ardhshme me BE, para se të sqarohen mirë çështjet kryesore të divorcit të Britanisë së Madhe nga unioni.

 

 

Tags