Tensione para referendumit në Katalonja
Dhjetëra mijëra njerëz kanë dalë në Barcelonë për tubimin e mbylljes së fushatën për referendumin e ndaluar të Katalonjës për pavarësinë.
Mbështetësit e votimit janë të vendosur të votojnë të dielën, edhe nën kundërshtinë e autoriteteve të Spanjës. Në Barcelonë, mijëra policë shtesë janë dërguar nga e gjithë Spanja, ndërsa qeveria kërkon të ndalë votimin. Policia spanjolle bllokoi aksesin në 1300 prej 2315 shkollave të Katalonjës, të cilat do të ktheheshin në qendra votimi për referendumin e shumë-kundërshtuar të pavarësisë. Autoritetet spanjolle kanë intensifikuar përpjekjet për të ndalur referendumin e të dielës me efektivët që kanë pushtuar qendrat e telekomunikacionit të qeverisë lokale. Policia po konfiskon gjithashtu letrat e votimit, ndërsa prokurorët kanë urdhëruar mbylljen e websajteve të lidhura me votimin dhe arrestimin e zyrtarëve që po organizojnë referendumin. E megjithatë, lideri katalanas Carles Puigdemont tha për Reuters se nuk do të ndaleshin. "Gjithçka është gati në më shumë se 2 mijë pikat e votimit. Ato janë të pajisura me gjithçka duhet për t’i mundësuar njerëzve të shprehin opinionin e tyre", u shpreh lideri i katalanasve, Puigdemont. Gjendja është tepër e tensionuar dhe gjatë natës pati të shtëna në një prej qendrave, ku u shënuan 4 të plagosur lehtë. Një person qëlloi me pushkë në ajër, në hyrjen e një shkolle në kontenë e Osona-s, ku ishte vendosur një qendër votimi. Ndërkaq qindra persona dolën të shtunën në rrugët e Barcelonës, Madridit dhe qyteteve të tjera spanjolle për të manifestuar kundër referendumit. Dhjetëra mijëra vetë pritet të votojnë në referendumin e 1 tetorit, i shpallur i paligjshëm nga gjykata kushtetuese e Spanjës. Katalonja, një rajon i përbërë prej 7.5 milionë banorësh, në Spanjën veri-lindore, ka gjuhën dhe kulturën e vet dhe një shkallë të lartë autonomie, por nuk njihet si një komb i veçantë, nga kushtetuta spanjolle. Prej vitesh Katalonja kërkon me ngulm pavarësinë nga Spanja, duke u ndeshur me kundërshtitë e ashpra të autoriteteve qendrore. Problemet ekonomike që do t’i shkaktonte një gjë e tillë Spanjës, do të ishin të mëdha, por edhe vetë rajoni nuk do ta kishte të lehtë në këtë aspekt. Si një prej rajoneve më të pasura, në Katalonjë realizohet një e pesta e rendimentit ekonomik të të gjithë vendit. E ndërsa disa sipërmarrës shohin vetëm avantazhe ekonomike nga shkëputja, duke menduar se Katalonja e pavarur do të ishte po aq e fortë sa Austria dhe Danimarka, ka të tjerë që e shohin me shqetësim këtë mundësi. Sipas tyre nëse Katalonja shkëputet nga Spanja, ajo do të shkëputet edhe nga Europa, duke humbur kështu një sërë avantazhesh dhe detyrimesh, për një tregti pa ndërlikime me pjesën tjetër të Europës. Do të rivendoseshin barrierat doganore, e kësisoj eksportet dhe importet do të shtrenjtoheshin, e kjo do t’i ulte aftësinë e konkurrencës sipërmarrësve katalunjas në krahasim me partnerët e tyre jashtë vendit. Qeveria spanjolle mendon se ekonomia në Katalonjë mund të bjerë me 25 deri në 30 përqind dhe se papunësia do të dyfishohet. Për t'u bërë sërish pjesë e BE-së, Katalonja duhet të nise nga fillimi procesin e anëtarësimit, ndoshta një rrugë e vështirë e plot pengesa kjo. Sepse Katalonja mund të bëhet anëtare e BE-së, nëse këtë e miratojnë të gjitha shtetet anëtare, e në radhë të parë do të jetë Spanja ajo që do të vendosë veton kundër. Qeveria konservatore në Madrid e Mariano Rajoy e refuzon referendumin dhe e konsideron atë antikushtetues e po përpiqet juridikisht e madje edhe me forcën e policisë që ta bllokojë atë duke sekuestruar fletët e votimit.