Katalonja të hënën shpall pavarësinë
(last modified Thu, 05 Oct 2017 05:44:46 GMT )
Tetor 05, 2017 07:44 Europe/Tirane
  • Katalonja të hënën shpall pavarësinë

Megjithë kundërshtimet e shumta të qeverisë spanjolle, të hënën rajoni i Katalonjës në Spanjë pritet të shpallë pavarësinë.

Pas ndërhyrjes së dhunshme të policisë spanjolle në procesin e referendumit ndarës të rajonit të Katalonjës, autoritetet e këtij rajoni kanë deklaruar se pavarësia do të shpallet ditën e hënë. Megjithë vendimin e Katalonjës për shpalljen e pavarësisë, zyrtarisht, Komisioni i BE nuk është pozicionuar për referendumin e pavarësisë në Katalonjë. Disa politikanë katalanas, por jo qeveria e Katalonjës, si dhe Grupi Parlamentar i Gjelbër në Parlamentin Evropian kërkojnë nga Komisioni Evropian në Bruksel që të ndërmjetësojë në grindjen midis Madridit dhe Barcelonës. Vetë BE, pas përleshjeve në Katalonjë nuk është pozicionuar. “Bëhet fjalë për procese dhe për ndërtimin e shtetit në shtetin anëtar të Spanjës, në të cilin BE nuk ndërhyn,” kanë bërë të ditur javët e fundit herë pas herë zëdhënës të BE. Krahas kësaj pikëpamjeje juridike duhet pasur parasysh edhe që “dhuna nuk mund të jetë asnjëherë mjet i zgjidhjes së konflikteve politike”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas. “Të dyja palët duhet ta kalojnë tani nga konfrontimi në dialog”. Komisioni i BE ka besim në aftësinë e kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy për ta menaxhuar situatën. Votimin e së dielës, Komisioni Evropian e konsideron të kundraligjshëm. Të Gjelbrit në Parlamentin Evropian e shohin në rrezik sundimin e ligjit në Spanjë dhe kërkojnë nga Komisari përgjegjës i BE, Frans Timmermans, që të ndërmjetësojë midis qeverisë qendrore dhe lëvizjes katalanase të pavarësisë. Megjithatë, BE nuk mund të ndërmjetësojë kundër vullnetit të shtetit anëtar Spanjë, gjykatat më të larta të të cilit e shpallën të paligjshëm referendumin e së dielës. Një ndërmjetësues duhet të ftohet nga të dyja palët, thanë diplomatë të BE në Bruksel. Nga pikëpamja juridike, çdo shtet anëtar është vetë përgjegjës për ndërtimin e brendshëm të shtetit të tij.

Tags