Kushtetuesja ndalon shpalljen e pavarësisë së Katalunjës
https://parstoday.ir/sq/news/world-i60753-kushtetuesja_ndalon_shpalljen_e_pavarësisë_së_katalunjës
Gjykata Kushtetuese në Spanjë pezulloi seancën parlamentare të së hënës në Katalunjë, në përpjekjen për të bllokuar shpalljen e njëanshme të pavarësisë nga presidenti katalanas, Carles Puigdemont.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Tetor 05, 2017 17:37 Europe/Tirane
  • Kushtetuesja ndalon shpalljen e pavarësisë së Katalunjës

Gjykata Kushtetuese në Spanjë pezulloi seancën parlamentare të së hënës në Katalunjë, në përpjekjen për të bllokuar shpalljen e njëanshme të pavarësisë nga presidenti katalanas, Carles Puigdemont.

Gjykata argumentoi se një lëvizje e tillë do të përbënte shkelje të Kushtetutës. Më herët, kryeministri Mariano Rajoy i kërkoi qeverisë rajonale të Katalunjës t’i kthehej ligjshmërisë dhe të hiqte dorë sa më shpejt nga projekti i shpalljes së njëanshme të pavarësisë, për të evituar të këqija edhe më të mëdha, siç u shpreh. “Zgjidhja më e mirë është t’i rikthehemi ligjshmërisë. Besoj të gjithë jemi dakord në këtë pikë. Udhëheqësit katalanas duhet të braktisin sa më parë projektin për të shmangur të këqija më të mëdha. Kjo është ajo që duan të gjithë”, tha Mariano Rajoy, kryeministër i Spanjës. Presidenti katalanas, Carles Puigdemont sugjeroi se do të shpallte pavarësinë e rajonit gjatë seancës parlamentare të së hënës. Me vendimin e së enjtes, Gjykata Kushtetuese mbështeti kërkesën e Partisë Socialiste katalanase, e cila kundërshton shkëputjen nga Spanja. Gjykata tha se, mbledhja e Parlamentit dhe shpallja e pavarësisë do të shkelte të drejtat e parlamentarëve nga radhët e kësaj partie. Pavarësisht paralajmërimeve të qeverisë së Madridit, mbretit spanjoll Felipe VI, e gjithashtu të komunitetit ndërkombëtar, kreu katalanas e bëri të qartë se shantazhet nuk do të frenojnë synimet e tyre. Ndërkohë, të dyja grupet e mëdha parlamentare të Parlamentit Evropian, konservatorët dhe socialistët deri tani janë shprehur kundër që tema Katalonjë të vihet në rend të ditës. Në të dyja grupet parlamentare, deputetët spanjollë e kundërshtuan një plan përkatës të Grupit Parlamentar të vogël Të Gjelbër. Kryetari i Grupit Parlamentar në Parlamentin Evropian, Guy Verhofstadt nuk dëshiron të përzihet në punët e brendshme, por e dënoi në Bruksel përdorimin e dhunës nga të dyja palët si "absolutisht të papranueshëm". Është koha më e përshtatshme për deeskalim. "Vetëm një zgjidhje politike, në të cilën të përfshihen të gjitha palët, edhe opozita në parlamentin katalanas, me respekt për kushtetutën dhe rendin juridik do të na çojë përpara", tha Verhofstadt. Komisioni i BE bëri të qartë edhe njëherë para referendumit në Katalonjë, që një shtet i pavarur Katalonjë nuk do të ishte më pjesë e BE dhe duhet të kandidonte për t'u pranuar në BE. E njëjta procedurë do të kishte vlejtur edhe për Skocinë, po të kishin votuar pro pavarësisë skocezët. Të Gjelbrit në Parlamentin Evropian e shohin në rrezik sundimin e ligjit në Spanjë dhe kërkojnë nga Komisari përgjegjës i BE, Frans Timmermans, që të ndërmjetësojë midis qeverisë qendrore dhe lëvizjes katalanase të pavarësisë. Megjithatë, BE nuk mund të ndërmjetësojë kundër vullnetit të shtetit anëtar Spanjë, gjykatat më të larta të të cilit e shpallën të paligjshëm referendumin e së dielës. Një ndërmjetësues duhet të ftohet nga të dyja palët, thanë diplomatë të BE në Bruksel. Nga pikëpamja juridike, çdo shtet anëtar është vetë përgjegjës për ndërtimin e brendshëm të shtetit të tij.