Shqetësimi në rritje i Evropës për krizën katalanase
Presidenti katalonas, Carles Puigdemont pretendon se Madridi nuk pranon kërkesat për ndërmjetësim në zgjidhjen e krizës. Presidenti katalan Carles Puigdemont ka akuzuar mbretin Philip VI të Spanjës se ai injoroi qëllimisht miliona katalanas duke dënuar aspiratat e tyre për pavarësi dhe duke u zotuar të ndërhyjë për të gjetur një zgjidhje për krizën katalanase, por se qeveria spanjolle nuk e pranoi atë..
Madridi zyrtar i ka thënë atij të kthehet në përputhje me ligjin. ‘Nëse Puigdemont dëshiron të flasë ose të negociojë ose të dërgojë ndërmjetës, ai e di mirë se çfarë duhet të bëjë më parë: të kthehet në ligj nga i cili ai kurrë nuk është dashur të heqë dorë’, tha qeveria spanjolle në një deklaratë. Por parlamenti katalanas bëri thirrje për një sesion të posaçëm të hënën për të vendosur mbi hapat pas referendumit. Në të njëjtën kohë, Puigdemont i dërgon kritika mbretit. Ndwrkaq, Banka e dytë më e madhe në Katalunjë vendosi të largojë zyrat e saj nga rajoni separatist, mes paqartësisë që rrethon ardhmërinë e tij në vazhdën e referendumit të shkëputjes dhe kundërshtisë së palëkundur të Madridit zyrtar. “Banco de Sabadell” do të zhvendoset në qytetin spanjoll të Alicantes. Vendimi i saj erdhi në kohën kur banka më e madhe e rajonit dhe e treta në vend, “CaixaBank” njoftoi gjithashtu largimin nga Katalunja. Të dyja këto lëvizje pasqyrojnë nervozizmin e komunitetit të biznesit, në kohën kur marrëdhëniet mes Barcelonës e Madridit vazhdojnë të përkeqësohen. Në përpjekje për t’i bllokuar Parlamentit katalanas shpalljen e pavarësisë, Gjykata Kushtetuese e Spanjës bllokoi seancën e tij të së hënës. Ajo paralajmëroi se, çdo mbledhje që bie ndesh me këtë vendim do të konsiderohet e pavlefshme, e shtoi se po ta injorojnë urdhrin e saj, krerët parlamentarë mund të shkojnë në gjyq. Qeveria rajonale do të mblidhet për të diskutuar reagimin ndaj këtij vendimi, por deri më tani, përgjithësisht ajo nuk i ka marrë parasysh lëvizjet e gjykatës në fjalë, përfshirë këtu edhe urdhrin e pezullimit të referendumit. Madridi zyrtar po kalon ditë të vështira, sepse pas referendumit për mëvetësi në Katalunjë, shembullin e saj mund ta ndjekin edhe baskët në veri të Spanjës. Nuk dihet ende nëse separatistët e atjeshëm do të marrin hov nga zhvillimet në Katalunjë, por fakti mbetet që po e ndjekin situatën me shumë vëmendje. “Dy popuj, një luftë” janë disa nga parullat e hedhura prej studentëve në Bilbao, ku shumica e banorëve kërkon të njëjtën gjë: të vendosin vet për pavarësinë. Zvicra ka thënë të premten, se ka qenë “në kontakt” me të dyja anët e konfliktit spanjoll, por thekson se ndërmjetësimi formal nuk mund të filloj pa qenë të gatshme të dyja palët. Presidenti katalanas, Carles Puigdemont, ka kërkuar ndërmjetësim ndërkombëtarë pasi rajoni votoi të shtunën për pavarësi nga Spanja. Në një deklaratë, ministria e Jashtme e Zvicrës ka thënë se kërkesa e Katalonisë është çështje e “ politikës së brendshme të Spanjës”. Derisa ky shtet nuk merr ndonjë pozicion, zyrtarët besojnë në "zgjidhje paqësore përmes dialogut”, thuhet në deklaratë.