Tubime pro unitetit në Spanjë
(last modified Sat, 07 Oct 2017 17:35:11 GMT )
Tetor 07, 2017 19:35 Europe/Tirane
  • Tubime pro unitetit në Spanjë

Mijëra njerëz janë mbledhur sot në Madrid dhe Barcelonë, për të paraqitur mbështetje për Spanjën unike dhe për ftesë për bisedime, në periudhën e krizës politike të shkaktuar nga referendumi i Katalonjës për ndarje nga Spanja.

Dhjetëra mijëra njerëz janë tubuar në protestën në Madrid, derisa demonstrata të tjera janë mbajtur në Barcelonë të Katalonjës, duke bërë thirrje për dialog politik. Organizuesit e tubimeve, nën sloganin “A duhet të bisedojmë”, thanë se ky është mesazh dërguar politikanëve të Spanjës. Protestuesit kanë bartur parulla ku shkruante “Spanja është më e mirë se liderët” dhe “Le të bisedojmë”. Këto tubime u bënë gjashtë ditë pas referendumit në Katalonjë për ndarje nga Spanja, të cilin qeveria e Spanjës e ka shpallur ilegal, ndërsa Gjykata Kushtetuese e pat suspenduar. Autoritetet e Katalonjës thonë se afro 90% e 2.26 milionë njerëzve, që kanë marrë pjesë në referendumin për pavarësi, kanë votuar në favor të ndarjes nga Spanja. Zyrtarët thanë se dalja në referendum ishte 42%, e 5.34 milionë votuesve të regjistruar në këtë rajon. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i qeverisë spanjolle në Katalonja u kërkoi falje personave të plagosur gjatë përpjekjeve të policisë për të penguar referendumin e së dielës. Megjithatë, ai fajësoi qeverinë katalanase për organizimin e votimit të paligjshëm. “Kur shoh imazhet e përleshjeve nuk mund të mos kërkoj falje në emër të efektivëve që ndërhynë”, tha ai në një intervistë, duke u bërë kështu i pari zyrtar i qeverisë “Rajoy” që kërkon ndjesë pas përleshjeve që shkaktuan gati 900 të plagosur, mes të cilëve 33 policë. Ndërkohë, qeveria e Madridit lëshoi një dekret për ta bërë më të lehtë zhvendosjen e zyrave të kompanive jashtë Katalonjës. Pavarësisht paralajmërimeve të Mbretit Felipe VI, e gjithashtu ndërkombëtarëve, Katalonja duket e vendosur për ta çuar deri në fund projektin e saj të pavarësisë.

 

Tags