Shtyhet gjendja e jashtëzakonshme në Egjipt
Qeveria egjiptiane ka shtyrë edhe për tre muaj të tjerë gjendjen e jashtëzakonshme në vend.
Lajmi bëhet i ditur nga agjencia Sputnik sipas të cilës, presidenti i Egjiptit, Abdul’fetah Sisi, ka dhënë urdhër për shtyrjen e afatit të gjendjes së jashtëzakonshme edhe për 3 muaj të tjerë në Egjipt. Afati i gjendjes së jashtëzakonshme në këtë vend është shtyrë pasi më shumë se 50 pjesëtarë të forcave egjiptiane të sigurisë u vranë në përleshje me militantët në shkretëtirën Sinai. Ministria e Brendshme egjiptiane tha se militantët hapën zjarr ndaj forcave të sigurisë, ndërsa këto të fundit po kryenin një operacion ndaj strehës së militantëve pranë oazit Baharija në Shkretëtirën perëndimore. Mësohet se forcat e sigurisë udhëtuan në shkretëtirë pas informacioneve që morën për praninë e një baze të militantëve atje. Aktualisht, Egjipti po përballet me një revoltë islamike në Sinain verior, por oazi i Baharijas ku ndodhi përleshja e fundit gjendet disa qindra kilometra larg kësaj zone. Zyrtarë të forcave të sigurisë thanë se karvani i tyre u sulmua nga militantët me armë të rënda, predha dhe bomba. Situata u përkeqësua nga fakti se agresorët e njihnin mjaft mirë zonën dhe për më tepër, forcat e sigurisë nuk mundën të kërkojnë ndihmë nga ajri, për shkak të telekomunikimit të dobët në shkretëtirë.