Johnson: Padyshim, marrëveshja bërthamore do të ruhet
Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe Boris Johnson deklaroi se nuk ka "absolutisht asnjë dyshim" se marrëveshja bërthamore e vitit 2015 mes Iranit dhe gjashtë fuqive botërore do të mbijetojë pavarësisht refuzimit të presidentit amerikan Donald Trump për të vërtetuar pajtueshmërinë e Teheranit.
"Është detyrë e gjeneratës tonë të ruajë atë marrëveshje dhe diplomacia britanike do të jetë në ballë të përpjekjeve", tha Johnson të hënën gjatë një fjalimi në konferencën e mbajtur në Chatham House në qendër të Londrës. Pas veprimit të Trump, kryeministrja britanike Theresa May riafirmoi angazhimin e Londrës ndaj marrëveshjes bërthamore të Iranit dhe i bëri thirrje Uashingtonit të mbetet i përkushtuar ndaj marrëveshjes së rëndësishme krahas nënshkruesve të tjerë evropianë.