Talebanët rrëzojnë helikopterin amerikan, 1 i vrarë dhe 6 të plagosur
Një ushtar amerikan ka vdekur dhe gjashtë të tjerë janë plagosur pasi helikopteri i tyre është rrëzuar në Afganistan, ndërsa talebanët kanë pretenduar se e kanë qëlluar helikopterin.
Misioni i mbështetjes së NATO-s në Afganistan tha në një deklaratë të shtunën se incidenti ka ndodhur të premten vonë në provincën Logar, në jug të Kabulit. Ai tha se rrëzimi nuk ishte rezultat i zjarrit të armikut dhe vendi i aksidentit ishte siguruar. "Misioni i NATO-s po heton rrethanat e rrëzimit për të përcaktuar më shumë fakte dhe do të nxjerrë detaje përkatëse" thuhet në një deklaratë. "Një ushtar amerikan ka vdekur si pasojë e lëndimeve të pësuara gjatë rrëzimit të helikopterit," tha Misioni i NATO-s në Afganistan. Talibanët thanë në Twitter se luftëtarët e tij e qëlluan helikopterin amerikan. Megjithatë, zëdhënësi i guvernatorit provincial Salim Saleh hodhi poshtë pretendimin e talebanëve. "Kur forcat e huaja po largoheshin nga zona, helikopteri i tyre goditi një pemë dhe u rrëzua. Forcat e huaja u përleshën për orë të tëra me talebanët për të nxjerrë ushtarët e tyre të plagosur jashtë zonës," tha ai për agjencinë e lajmeve AFP.