Thellohet rrezikshëm kriza në Katalunja
(last modified Sat, 28 Oct 2017 17:42:54 GMT )
Tetor 28, 2017 19:42 Europe/Tirane
  • Thellohet rrezikshëm kriza në Katalunja

Qeveria spanjolle i ka hequr fuqitë shefit të policisë rajonale të Katalunjës, pak orë pas vendosjes së sundimit direkt mbi rajonin.

Kjo është masa e parë specifike e marrë që kur parlamenti katalan votoi për të deklaruar pavarësinë. Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy gjithashtu lajmëroi shpërbërjen e parlamentit rajonal dhe shkarkimin e liderit katalan, si dhe kërkoi zgjedhje të parakohshme lokale. Këto masa vijnë pasi parlamenti katalan votoi për të deklaruar pavarësinë ditën e premte. Një buletin zyrtar shtetëror i kalon kontrollin e Katalunjës zv/kryeministres spanjolle Soraya Saenz de Santamaria. Ndërkohë, nuk kanë munguar protestat pro dhe kundër pavarësisë së Katalunjës gjatë gjithë natës. Senati spanjoll aprovoi masat e kërkuara nga kryeministri Rajoy për të vendosur sundimin e drejtpërdrejtë mbi Katalunjën. Rajoy deklaroi se lideri katalan Carles Puigdemont dhe kabineti i tij do të shkarkoheshin, ndërkohë që zgjedhjet e parakohshme janë përcaktuar të mbahen në 21 dhjetor. Në anën tjetër, parlamenti katalan deklaroi pavarësinë e rajonit përmes një mocioni të mbështetur nga 70 deputetë në parlamentin me 135 ndenjëse. Separatistët thonë se atë nuk janë më nën juridiksionin spanjoll dhe ka gjasa që pavarësia të deklarohet si e jashtëligjshme nga Gjykata Kushtetuese e Spanjës. Lideri i shkarkuar katalan Carles Puigdemont ka bërë thirrje për “opozitë demokratike” ndaj sundimit direkt të vendosur nga qeveria e Madridit. Puigdemont dënoi pezullimin e autonomisë së Katalunjës dhe premtoi të vijonte punën për të ndërtuar një vend të lirë, në një adresim televiziv të bërë nga një vendndodhje sekrete. Ai dënoi pezullimin e autonomisë së Katalunjës dhe premtoi se do të vazhdojë të punojë “për të ndërtuar një vend të lirë”. Puigdemont e cilësoi shpalljen e pavarësisë, të premten, si “një ditë demokratike dhe ndjeshmëri civile”. Ai tha se, veprimet e qeverisë qendrore bien ndesh me vullnetin e shprehur nga qytetarët e “vendit të tij”, që e dinë shumë mirë se në një demokraci është parlamenti institucioni që zgjedh apo shkarkon presidentët. Javën e ardhshme pritet që prokurorët spanjollë të ngrenë akuza për rebelim ndaj liderit katalan Puigdemont. Në aspektin ndërkombëtar, Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Britania, Franca dhe Gjermania kanë shprehur mbështetjen e tyre për unitetin e Spanjës. Askush në Bashkimin Evropian nuk do ta njohë votën e Parlamentit katalanas për shpalljen e pavarësisë, ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani. Rusia nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj në çështjen e pavarësisë së Katalunjës, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova. Moska më parë ka deklaruar se zhvillimet në Katalunja i sheh si çështje të brendshme të Spanjës. Por a mund të dënojë qeveria spanjolle udhëheqësit katalanas? Jordi Sanchez dhe Jordi Cuixart, liderët e dy lëvizjeve më të mëdha në baza pro pavarësisë, tashmë janë arrestuar dhe burgosur nga autoritetet spanjolle. Një zëdhënës i prokurorit të lartë të Spanjës ka thënë se zyra do të kërkojë akuza për rebelim dhe sulme kundër atyre që janë përgjegjës për votimin e pavarësisë. Janë të shumta qarqet që përkrahin një shtypje të fuqishme të aspiratave separatiste të Katalunjës me qëllim që të parandalohen lëvizjet separatiste që nuk janë të pakta në Evropë dhe në botë.

 

Tags