Putin: bashkëpunimi mes Rusisë, Iranit dhe Turqisë ka qenë efikas
Presidenti i Rusisë në takimin që pati me presidentin e Turqisë në Sochi të Rusisë deklaroi se bashkëpunimi mes Rusisë, Iranit dhe Turqisë ka dhënë rezultate të prekshme në Siri dhe ka krijuar kushtet për dialog dhe bisedime në këtë vend.
Vladimir Putin deklaroi se Rusia do të vazhdojë bashkëpunimin e saj me Iranin dhe Turqinë për zgjidhjen e krizës në Siri. Nga ana e tij presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, në takimin që pati me presidentin e Rusisë foli mbi procesin pozitiv të negociatave në Astana dhe tha se Turqia dhe Rusia në shumë çështje dhe sidomos në çështjen e Sirisë veprojnë së bashku. Presidenti i Turqisë gjithashtu kërkoi zgjerimin e marrëdhënieve të gjithanshme Ankara-Moskë. Presidentët e Rusisë dhe të Turqisë kanë diskutuar mbi çështjen e Sirisë dhe deklaratën e përbashkët të Rusisë dhe Amerikës dhe për marrëdhëniet dypalëshe. Zyra për informim e presidentit rus deklaroi se Vladimir Putin dhe Rexhep Taip Erdogan janë takuar në qytetin bregdetar Sochi dhe diskutuan për çështje dypalëshe dhe gjendjen në Siri. Takimi mes presidentit të Rusisë dhe Turqisë u bë me ftesë të presidentit Vladimir Putin. Ky është takimi i pestë i presidentëve të Turqisë dhe Rusisë brenda vitit 2017. Sipas zyrës informative të presidencës ruse, të dy presidentët diskutuan për problemet e rajonit dhe të botës për luftën kundër terrorizmit dhe për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën në Siri. Përveç kësaj presidentët diskutuan për forcimin e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike dhe për bashkëpunimin në fushën e energjisë.