Putin pret presidentët e Iranit dhe Turqisë
Presidenti rus Vladimir Putin do të presë homologët e tij iranianë dhe turq, respektivisht Hasan Ruhani dhe Recep Tayyip Erdogan javën e ardhshme për bisedime mbi konfliktin në vazhdim në Siri dhe zhvillimet e tjera rajonale.
Agjencia shtetërore turke e lajmeve Anadolu njoftoi të enjten se të tre presidentët do të takohen për bisedime më 22 nëntor në vendpushimin zyrtar të Putinit në Soçi në Detin e Zi. Takimi trepalësh vjen kur Teherani, Moska dhe Turqia bashkëpunojnë me intensitet në rritje për t'i dhënë fund konfliktit në Siri, edhe pse Ankaraja zyrtarisht qëndron në anën e kundërt të konfliktit. Të tre vendet tashmë po sponsorizojnë bisedimet e paqes në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana dhe gjithashtu po zbatojnë një plan për të krijuar zonat e reduktimit të tensionit në rajonet kyçe të Sirisë. Bisedimet në Astana po zhvillohen së bashku me një seri bisedimesh të mbajtura në Gjenevë dhe të ndërmjetësuara nga OKB.