185 të vdekur dhe 150 të plagosur në Egjipt
Të paktën 185 persona përfshirë fëmijë kanë vdekur dhe mbi 150 të tjerë janë plagosur pasi terroristët e maskuar kryen një sulm kamikaz që u pasua nga një sulm me armë automatike në një xhami në provincën Sinai të Egjiptit.
Sipas agjencisë Reuters, raportet lokale kanë pohuar se terroristët që mbanin uniforma ushtarake dhe valëvitnin flamujt e zi të ISIS, kryen masakrën pasi rrethuan ndërtesën dhe sulmuan një kopsht të mbushur me fëmijë gjatë namazit të së premtes. Terroristët që mbanin jelekë me eksplozivë dhe të tjerë pastaj qëlluan disa që po falnin namazin ndërsa përpiqeshin të iknin nga shpërthimet. Sulmi terrorist ndodhi në xhaminë Al Raudah në Bir al-Abed, në një rajon ku ushtria po lufton me një kryengritje të ISIS. Ky është sulmi terrorist më vdekjeprurës prej vitesh në Egjipt. Autoritetet egjiptiane thanë se agresorët e armatosur mbërritën dhe në fillim shpërthyen aty një bombë për të hapur më pas zjarr mbi besimtarët që largoheshin të tmerruar nga ndërtesa. Mësohet se terroristët gjithashtu kishin bllokuar rrugët rreth xhamisë duke u vënë flakën makinave të parkuara në mënyrë që askush të mos afrohej dot aty. Madje edhe ambulancat e para që mbërritën në vendngjarje u goditën me breshëri plumbash nga agresorët. Nuk është e qartë se cili grup terrorist kreu masakrën, pasi në gadishullin Sinai të Egjiptit operojnë disa të tilla, përfshirë një degë të ISIS.