BE ultimatum Anglisë për procesin e Brexit
Kryetari i Këshillit të Evropës i ka dhënë ultimatum kryeministres angleze Theresa May që të marrë vendim për zgjidhjen e qorrsokakut të krijuar në negociata.
Donald Tusk në një mesazh të tij në Twitter ka deklaruar se BE pret nga pala angleze të bëjë progres në procesin e Brexit për të gjitha temat mes tyre çështjen e Irlandës. Nga ana e saj kryeministrja britanike Theresa May ka përsëritur dëshirën e saj për një lëvizje të përbashkët me Bashkimin Evropian në hapjen e negociatave për një marrëveshje tregtare post-Brexit. Nga samiti i Brukselit me ish-shtetet sovjetike, ajo deklaroi se do të diskutonte me kryetarin e këtij samiti Donald Tusk për partneritetin e veçantë që kryeministrja kërkon të mbajë me Bashkimin Europian pas daljes nga blloku. BE kërkon nga May oferta më të mira financiare për largimin, siguri për qytetarët evropianë që jetojnë në Britani dhe qartësi për kufirin me Irlandën e Veriut, përpara se të nisin negociatat për tregtinë. Ndërkohë, May kërkon garanci për bisedimet për tregtinë përpara se të parashtrojë një ofertë të re për Bashkimin Evropian. Ndërkaq, Kryetari i Këshillit të Evropës deklaroi se do të takohej me kryeministren britanike më 4 dhjetor, për të parë nëse është arritur mjaftueshëm progres në bisedimet për Brexit. Kryenegociatori i BE, Michel Barnier, deklaroi se Britania ka dy javë kohë që të qartësojë pozicionin e saj në çështjet kyçe ose të bëjë lëshime, në mënyrë që të arrihet progres në negociatat për Brexit. Ai i bëri këto komente pas bisedimeve me sekretarin britanik për Brexit, David Davis, për të drejtat e qytetarëve, kufirin irlandez dhe faturën e divorcit. Banier tha se Londra duhet të sqarojë për dy javë sa ka ndërmend të paguajë, pasi rregullimi i llogarive është fare normal në çdo proces ndarje. E ashtuquajtura faturë e divorcit mbetet pika kryesore që ndan palët në bisedime. Flitet se BE kërkon një shifër prej rreth 60 miliard eurosh nga Londra për angazhimet e mëhershme, por britanikët nuk janë aspak të gatshëm të paguajnë aq. Sidoqoftë, sqarimin e faturës së divorcit Barnier e konsideroi kusht kryesor për të arritur progres deri në samitin e liderëve të BE në dhjetor. Nga ana e tij, David Davis tha pas bisedimeve se ka ardhur koha që të dyja palët të gjejnë zgjidhje, duke lënë mbase të kuptohet se deri tani nuk është bërë asgjë. Davis nuk harroi që të kundërshtonte me forcë sugjerimin e ditëve të fundit se Irlanda e Veriut mund të mbesë brenda unionit evropian të doganave edhe pas Brexit. Por ministri britanik bëri një paralajmërim diplomatik se Gjermania dhe vendet e tjera evropiane duhet të kenë kujdes së mund të dëmtojnë ekonomitë e tyre duke i dhënë prioritet çështje politike, si dëshira për të ndëshkuar Britaninë për largimin. “Unë e di se askush nuk do të lejonte që interesat afatshkurtra të dëmtojnë përfitimet e arritura me vështirësi. Sepse vendosja e politikës para prosperitetit nuk është kurrë një zgjedhje e zgjuar”, deklaroi Davis. Duke paraqitur vizionin e tij post Brexit, Davis theksoi se qeveria britanike shpreson që të negociojë një marrëveshje speciale tregtare me Brukselin, pavarësisht se dokumentet e zbuluara nga mediat sugjerojnë se Britanisë do t’i ofrohet një marrëveshje e ngjashme me atë që BE ka bërë me Kanadanë dhe që redukton dukshëm favorizimet tregtare për Britaninë. Por pasojat negative të Brexit-it po ndjehen në Britani edhe para ndarjes së këtij vendi nga BE. Britania e Madhe ka humbur edhe zyrtarisht vendin e pestë në renditjen e ekonomive më të mëdha të botës. Banka e Anglisë i ka kërkuar bankave dhe institucioneve të tjera financiare, që të paraqesin planet e emergjencës në rast se Britanisë do t’i duhet të bëjë tregti me BE-në sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë, dhe jo më sipas atyre të unionit. Kjo do të thotë se, bankat me seli në Mbretërinë e Bashkuar do të humbasin të drejtat speciale për të operuar në BE. Britania e Madhe pritet të dalë nga BE-ja në mars të vitit 2019, pas referendumit të vitit të kaluar. Ajo shpresonte të kalohej në fazën e dytë të negociatave, që mbulojnë marrëveshjet e ardhshme të tregtisë, pas samitit të kësaj jave, por krerët e BE-së kanë dalë zyrtarisht në përfundimin se nuk është arritur progres i mjaftueshëm për çështjen e të drejtave të qytetarëve, detyrimet financiare të Britanisë dhe kufirin në Irlandën e Veriut.