Austria kundër ndarjes proporcionale të emigrantëve
https://parstoday.ir/sq/news/world-i64623-austria_kundër_ndarjes_proporcionale_të_emigrantëve
Sebastian Kurz i cili është edhe kancelari i ri i Austrisë deklaroi se do t’i qëndrojë parimeve të Evropës por Austria është kundër ndarjes proporcionale të emigrantëve.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Dhjetor 17, 2017 04:44 Europe/Tirane
  • Austria kundër ndarjes proporcionale të emigrantëve

Sebastian Kurz i cili është edhe kancelari i ri i Austrisë deklaroi se do t’i qëndrojë parimeve të Evropës por Austria është kundër ndarjes proporcionale të emigrantëve.

Kancelari i Austrisë ka përcaktuar shkallën e ndarjes, në lidhje me çështjet e migracionit brenda Bashkimit Europian, pasi vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, kanë mbajtur qëndrime kundër marrjes së më shumë refugjatëve. Sebastian Kurz përshkroi darkën e samitit të BE në Bruksel duke ironizuar dhe tha: "Është 12:40 a.m. Ne po luftojmë me njëri-tjetrin tani. Është luftë e ngushtë, një lloj luftimi politik i ngushtë". Ai tha gjithashtu se austriakët, polakët, hungarezët, çekët dhe sllovakët bënë mirë në betejë që kundërshtuan marrjen e më shumë refugjatëve nga kampet në Itali dhe Greqi. Kurz shtoi: "Kemi mbajtur pozicionet tona, por nuk mund t'i bindim kundërshtarët tanë". Konservatorët e Partisë Popullore austriake kanë arritur akordin për krijimin e një koalicioni qeverisës me ekstremistët e djathtë të Partisë së Lirisë. Marrëveshja vjen 2 muaj pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në Austri, ku Partia Popullore u shpall fituese, por pa një shumicë të përgjithshme. Kështu, në moshën 31-vjeçare, lideri i konservatorëve Sebastian Kurz do të bëhet udhëheqësi qeveritar më i ri në Evropë. Kujtojmë se zgjedhjet e 15 tetorit në Austri si dhe mbarë fushata zgjedhore u karakterizuan nga tonet e ashpra anti-emigracion. Por ndryshe nga të tjera vende evropiane që gjithashtu u përfshinë në këtë retorikë gjatë proceseve zgjedhore përkatëse, Partia Popullore është e vetmja që e ka kthyer mbështetjen e votuesve në pushtet real. Koalicioni është aprovuar nga presidenti Alexander Van der Bellen dhe kështu Austria bëhet vendi i vetëm i Evropës Perëndimore që udhëhiqet nga një qeveri e ekstremit të djathtë. Dy liderët, Sebastian Kurz dhe Heinz-Christian Strache nuk dhanë detaje mbi programin që do të ndjekë qeveria e re austriake, por disa role të rëndësishme ministrore pritet t'i jepen Partisë së Lirisë si pjesë e marrëveshjes. Partia Popullore dhe ajo e Lirisë kanë bashkudhëhequr vendin mes viteve 2000 dhe 2005. Askush nuk duhet të frikësohet nga koalicioni i ri. Me këto fjalë u përpoq të qetësonte austriakët politikani i së djathtës ekstreme Herbert Kickl, i cili do të jetë ministri i ri i Brendshëm. Pjesëtari i Partisë së Lirisë tha se kishte një parandjenjë të mirë për koalicionin e ri me konservatorët e Partisë Popullore. Presidenti austriak, Alexander Van der Bellen aprovoi koalicionin të shtunën, pas dy muaj bisedimesh jo bindëse. Kreu i Partisë Popullore, Sebastian Kurz, në moshën 31-vjeçare do të bëhet Kancelari i ri i Austrisë dhe udhëheqësi më i ri në botë, ndërsa Austria do të jetë i vetmi shtet në Europën Perëndimore, që do të qeveriset edhe nga ekstremi i djathtë. Teksa prezantoi qeverinë e re dhe një dokument prej 180 faqesh, që parashtronte axhendën e tij, Kurz theksoi se dy partitë kishin rënë dakord për një politikë të qartë proeuropiane. Përpos Ministrisë së Brendshme, Partia e Lirisë kundër emigrantëve ka siguruar disa poste të tjera kyçe në kabinetin e ri. Lideri i partisë, Heinz-Christian Strache do të bëhet zv.kancelar, ndërsa kolegët e tij do të drejtojnë Ministrinë e Mbrojtjes, atë të Shëndetësisë dhe të Sigurisë Sociale. Partia e Kurz fitoi 32 për qind të votave në zgjedhjet e muajit tetor, duke siguruar 62 prej 183 vendeve në Këshillin Kombëtar. Partia e Lirisë u pozicionua e treta, me 25 për qind të votave. Hera e fundit kur e djathta ekstreme hyri në koalicion qeverisës në vitin 2000, shtete të tjera të BE-së u kundërpërgjigjën duke ngrirë marrëdhëniet diplomatike dypalëshe. Kjo ka shumë pak gjasa të ndodhë sërish, për shkak të fuqizimit të grupeve populiste të së djathtës që promovojnë axhendat e tyre euroskeptike në pjesën më të madhe të BE-së. Por, ndryshe nga Partia e Lirisë, këto parti nuk ia kanë dalë të kthejnë suksesin elektoral në pushtet real.