Putini pranon çdo zgjidhje të negociuar mes Prishtinës dhe Beogradit
Presidenti rus Vladimir Putin tha sot se Moska do të mbështesë çdo zgjidhje të pranueshme për Kosovën, që do të arrihet midis Beogradit dhe Prishtinës.
“Sa i përket Kosovës, nisemi nga ajo se situata duhet të zgjidhet përmes marrëveshjes politike, përmes dialogut në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit”, tha Putin, pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Kremlin. Sipas agjencisë serbe “Beta”, Putin ka thënë se Moska do të mbështeste “çdo zgjidhje të pranueshme midis Beogradit dhe Prishtinës” transmetojnë mediat ruse. Putin tha se ai dhe Vuçiq diskutuan mbi gjendjen aktuale në Ballkan. “Rusia është e interesuar të stabilizojë situatën në Ballkan, për zhvillimin e marrëdhënieve të ndërsjella me interes reciprok me të gjitha vendet e Ballkanit”, tha Putin, duke shtuar se Rusia është e gatshme të vazhdojë t’i ofrojë Serbisë mbështetje në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial. Vuçiq, duke folur në rusisht, falënderoi Putinin për të mbështetur integritetin territorial të Serbisë.