“Brexit”, tranzicioni i shkëputjes jo më larg se 2020-a
https://parstoday.ir/sq/news/world-i64887-brexit_tranzicioni_i_shkëputjes_jo_më_larg_se_2020_a
Për fundin e “Brexit”-it ka një datë konkrete. Periudha e tranzicionit të shkëputjes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian nuk do të zgjasë përtej 31 dhjetorit 2020, thonë zyrtarët në Bruksel.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Dhjetor 20, 2017 16:03 Europe/Tirane
  • “Brexit”, tranzicioni i shkëputjes jo më larg se 2020-a

Për fundin e “Brexit”-it ka një datë konkrete. Periudha e tranzicionit të shkëputjes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian nuk do të zgjasë përtej 31 dhjetorit 2020, thonë zyrtarët në Bruksel.

Kushtet e periudhës që Londra e quan “fazë implementimi” nuk janë negociuar ende mes palëve. Por BE-ja e ka bërë tashmë të qartë se do të vazhdojë të ndjekë rregullat e saj, e nuk mund të adoptojë një qasje përzgjedhëse, siç pretendojnë britanikët. Data e ndërprerjes së etapës së tranzicionit gjendet në udhëzimet e Bashkimit Europian për shkallën tjetër të negociatave të shkëputjes. Direktivat tregojnë se, Mbretëria e Bashkuar duhet të vazhdojë zbatimin e ligjit tregtar të bllokut, e të qëndrojë përgjatë fazës tranzitore në bashkësinë doganore europiane dhe tregun unik. Po kështu, përgjatë këtij harku kohor do të zbatohen në vazhdimësi edhe vendimet e Gjykatës Europiane të Drejtësisë. Britania e ka deklaruar tashmë se, si pjesë e “Brexit”-it, planifikon ta lërë unionin doganor bashkë me tregun e vetëm dhe t’i japë fund gjithashtu supremacisë së vendimeve gjyqësore të BE-së. Përplasja e qëndrimeve është e qartë, megjithatë kushtet përfundimtare të kësaj faze kyçe do të përbëjnë pikërisht subjektin e raundit të ardhshëm të bisedimeve.