Papa Françesku bën thirrje për paqe dhe humanizëm
https://parstoday.ir/sq/news/world-i65227-papa_françesku_bën_thirrje_për_paqe_dhe_humanizëm
Në ceremoninë e mbajtur në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan në prani të mijëra besimtarëve, Papa Françesku bëri apel për një të ardhme më solidare, ndërsa shprehu besimin për vendosjen e paqes kudo ku ka konflikt.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Dhjetor 25, 2017 18:06 Europe/Tirane
  • Papa Françesku bën thirrje për paqe dhe humanizëm

Në ceremoninë e mbajtur në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan në prani të mijëra besimtarëve, Papa Françesku bëri apel për një të ardhme më solidare, ndërsa shprehu besimin për vendosjen e paqes kudo ku ka konflikt.

Në mesazhin e tij të përvitshëm, lideri i katolikëve të botës zgjodhi të përqendrojë vëmendjen tek fëmijët të cilët vuajnë për shkak të luftërave në pjesë të ndryshme të botës, si në Lindjen e Mesme, Siri, Jemen, apo Afrikë, teksa kërkoi kujdesje për ta. Papa Françesku nuk la jashtë mesazhit të tij edhe lutjet për paqe në Jeruzalem e të tjera vende të konfliktuara, ndërkohë që ka shprehur besimin dhe shpresën për një të ardhme më solidare. Ndërkohë, një ditë më parë, gjatë meshës së mbajtur në vigjilje të Krishtlindjes, Papa nxiti besimtarët katolikë të mos injorojnë gjendjen e miliona emigrantëve "të dëbuar nga toka e tyre". Shumë emigrantë, sipas tij, janë detyruar të arratisen nga udhëheqës të cilët nuk shohin asgjë të gabuar në gjakderdhjen e personave të pafajshëm. Papa 81-vjeçar, i lindur nga një familje emigrante italiane në Argjentinë, e ka kthyer mbrojtjen e emigrantëve në një shtyllë kryesore të papatit të tij.