Mesazhi shqetësues i shefit të OKB për vitin e ri
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres në një mesazh me rastin e vitit të ri, shprehu shqetësimin e tij të thellë për rreziqet e mëdha që kërcënojnë çdo cep të botës.
Guterres alarmoi botën për çështje të tilla si thellimi i konflikteve, frika globale rreth armëve bërthamore, zgjerimi i ndikimit të ndryshimeve klimatike, rritja e pabarazive, shkeljet e të drejtave të njeriut si dhe rritja e nacionalizmit dhe ksenofobisë. “Ndërsa ne fillojmë vitin e ri 2018, unë kërkoj unitet. Me të vërtetë besoj se mund ta bëjmë botën më të sigurt dhe më paqësore . Ne mund të zgjidhim konfliktet, të kapërcejmë urrejtjen dhe të mbrojmë vlerat e përbashkëta. Por ne mund ta bëjmë këtë vetëm së bashku. U bëj thirrje udhëheqësve kudo: Mbushni boshllëqet, ngushtoni ndarjet dhe rindërtoni besimin duke i bashkuar njerëzit rreth qëllimeve të përbashkëta. Uniteti është rruga. E ardhmja jonë varet nga ajo” thuhet në mesazhin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, z. Antonio Guterres.