Punonjësit e qeverisë amerikane në ditën e tretë pa rrogë
Qindra mijëra punëtorë federalë në Shtetet e Bashkuara nuk ishin në gjendje të paraqiteshin në punë të hënën, ndërsa Senati amerikan përpiqet për të gjetur një zgjidhje, e cila t’i japë fund mbylljes së qeverisë.
Këta njerëz nuk do të paguhen derisa të gjendet një rrugëdalje nga kjo situatë. As seanca e jashtëzakonshme e Senatit pas mesnatës nuk mundi të prodhojë një marrëveshje mes demokratëve dhe republikanëve. Autorizimi për shpenzimet qeveritare skadoi të premten në mesnatë, duke filluar kështu ngrirjen e funksioneve jothelbësore të qeverisë federale. Ligjvënësit amerikanë kanë mes tyre mosmarrëveshje të thella mbi një sërë çështjesh, siç janë shpenzimet për mbrojtjen, por “molla e sherrit” mbetet më së shumti emigracioni, e në veçanti trajtimi ligjor i rreth 800 mijë personave pa dokumente që janë sjellë në SHBA kur ishin fëmijë. Presidenti i SHBA, Donald Trump, në twitter akuzoi të hënën demokratët se po mashtrojnë emigrantët e paligjshëm dhe i quajti ata përgjegjës për mbylljen e qeverisë.