Paqartësi në fatin e ligjit DAKA
https://parstoday.ir/sq/news/world-i67631-paqartësi_në_fatin_e_ligjit_daka
Presidenti amerikan, si kusht për vazhdimin e ligjit DAKA që përcakton fatin e mbi 800 mijë emigrantëve në Amerikë, ka vendosur ndërtimin e murit ndarës me Meksikën.
(last modified 2026-06-18T18:22:28+00:00 )
Janar 25, 2018 06:01 Europe/Tirane

Presidenti amerikan, si kusht për vazhdimin e ligjit DAKA që përcakton fatin e mbi 800 mijë emigrantëve në Amerikë, ka vendosur ndërtimin e murit ndarës me Meksikën.

Donald Trump president i Amerikës, pas akordit të arritur me demokratët për t’i dhënë fund pezullimit të punës së qeverisë federale, në një mesazh në Twitter ka shkruar: Nëse nuk do të ekzistojë çështja e ndërtimit të murit ndarës, programi DAKA për emigrantët nuk do të ekzistojë. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nënshkroi masat përkohshme, të cilat do të financojnë qeverinë federale deri më 8 shkurt dhe që i dhanë fund mbylljes tre ditore të qeverisë amerikane. Trump nënshkroi ligjin, pasi të dyja dhomat e Kongresit amerikan e miratuan atë. Demokratët e Senatit fillimisht bllokuan masën e financimit të përkohshëm, pasi kërkonin negocimin e një marrëveshjeje, për të mbrojtur emigrantët nga dëbimi të cilët kanë emigruar drejt ëndrrës amerikane që fëmijë dhe kanë qëndruar atje ilegalisht.  Bllokimi i qeverisë amerikane përfundoi, pasi republikanët dhe demokratët e Senatit votuan për një projektligj të financimit të përkohshëm të qeverisë federale. Demokratët pranuan të mbështesnin ligjin, pas premtimeve të republikanëve për diskutime të mëtejshme për të ardhmen e emigrantëve të paligjshëm të cilët kanë emigruar drejt SHBA në moshë të vogël. Presidenti Donald Trump, nënshkroi projekt-ligjin pas votimit të demokratëve dhe republikanëve. Megjithatë Trump mori një goditje të fortë në demokratët. Kjo është masa e katërt e përkohshme që nënshkruhet që prej tetorit, pasi demokratët nuk pajtohen me një buxhet më afatgjatë. Projektbuxheti i shpenzimeve kaloi në Senat 81-18 dhe në Dhomën e Përfaqësuesve më 266-150. Megjithatë kjo zgjidhje do të zgjasë deri më 8 shkurt, me shpresën se Kongresi mund të arrijë së shpejti një marrëveshje buxhetore afatgjatë. Ndërkohë mijëra punonjës federalë të cilët nuk paguheshin dhe ishin detyruar të qëndronin me leje të përkohshme, tashmë ndihen më të lehtësuar.  Lideri republikan i senatit, Mitch McConnell, konfirmoi se partia e tij kishte arritur një marrëveshje për të negociuar me demokratët për çështjen e emigrantëve. Demokratët kërkojnë mbrojtje nga dëbimi për të ashtuquajturit “Dreamers”. Më shumë se 700 mijë emigrantë të rinj janë sjellë drejt SHBA që fëmijë. Por pasi republikanët këmbëngulën se nuk do të kishte asnjë marrëveshje, shërbimet e qeverisë federale u mbyllën. Programi i Shtyrjes së Veprimit për të Rinjtë Emigrantë të Ardhur, i njohur si DAKA, u shfuqizua një ditë më parë dhe mendohet se mund të prekë rreth 800,000 përfitues. Edhe pse përfituesit aktualë nuk do të shohin efekte të këtij shfuqizimi për të paktën 6 muaj, Shtetet e Bashkuara tashmë nuk do të lejojnë më aplikime të reja. Presidenti Trump tashmë është i gatshëm të bashkëpunojë me Kongresin për të sjellë një reformë të re për emigracionin, duke vendosur shtetasit amerikanë në plan të parë.