Sfida e parlamentit anglez për Brexit
https://parstoday.ir/sq/news/world-i67963-sfida_e_parlamentit_anglez_për_brexit
Ministrat evropianë të 28 vendeve anëtare të BE kanë diskuar në Bruksel mbi fazën e  dytë të negociatave për largimin e Britanisë nga unioni.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Janar 30, 2018 05:37 Europe/Tirane
  • Sfida e parlamentit anglez për Brexit

Ministrat evropianë të 28 vendeve anëtare të BE kanë diskuar në Bruksel mbi fazën e  dytë të negociatave për largimin e Britanisë nga unioni.

Një prej pikave më të diskutuara në këtë takim është periudha e tranzicionit pas largimit të Britanisë nga BE në vitin 2019. Në këtë takim ministrit anglez për çështjet evropiane i është lejuar të marrë pjesë por pa të drejtë vote. Njëkohësisht me takimin e ministrave të BE lidhur me procesin e Brexit, plani I kryeministres Theresa May ka hasur në një sfidë serioze në parlamentin anglez. Dy grupe të deputetëve të Parlamentit të Britanisë së Madhe kanë kritikuar projektligjin e qeverisë së Theresa May dhe kanë kërkuar rishkrimin e tij. Agjencia e lajmeve Express njoftoi se komiteti i Kushtetutës në Parlamentin e Britanisë së Madhe projektligjin ekzekutiv të qeverisë për Brexit-in e konsideroi të mangët që në esencë dhe që shkakton dobësimin e sigurisë ligjore. Ky projektligj të nesërmen (të martën) për herë të parë paraqitet në Parlament për shqyrtim. Komiteti i Kushtetutës në Parlamentin e Britanisë së Madhe ka theksuar: "Mekanizmi për transferimin e kontrollit të ligjeve brenda në qeverinë e Britanisë, të cilat deri më tani ka qenë me Bashkimin e Evropian, nga aspekti i përmasave dhe ndërlikimit nuk janë në gjendje të mirë dhe forma përfundimtare e tyre në shumë aspekte varët nga rezultati i negociatave për Brexit". Gjithashtu një komitet mbipartiak në Parlamentin e Britanisë së Madhe ka deklaruar: "Planet e qeverisë për daljen nga tregu i përbashkët i BE, do të bëhet shkak për shtimin e madh të çmimit të energjisë për shtëpitë e banimit në të gjithë Britaninë e Madhe". Vlen të theksohet se qeveria e Britanisë së Madhe që nga marsi i vitit 2017 ka filluar negociatat për Brexit-in dhe sipas marrëveshjes së të dy palëve, këto negociata duhet të përfundojnë deri në fund të marsit të vitit 2019. Dy grupet kryesore në Partinë Konservatore Britanike kanë vendosur kohët e fundit 10 linja të kuqe para kryeministres për koncesione me Bashkimin Evropian. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, presioni ndaj kryeministres britanike Theresa May udhëhiqet nga grupe që mbajnë një shumicë të fortë përkrahës të daljes nga Bashkimi Evropian. Sipas këtij raporti, këto grupe po kërkojnë që britanikët të mos kenë një rol në planin ushtarak të BE për çështjet e sigurisë dhe në zbatimin e ligjeve të reja të imigracionit. Sekretari i jashtëm britanik, mbështetës i Brexit, u tha miqve të tij se është i shqetësuar se disa anëtarë të kabinetit do të bëhen pengesë në rrugën për një Brexit të mirë dhe të duhur. Bisedimet britanike me Bashkimin Evropian për Brexit, të cilat u përballën me sfida të mëdha në vitin 2017, duhet të finalizohen në vitin 2018. Për fundin e “Brexit”-it ka një datë konkrete. Periudha e tranzicionit të shkëputjes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian nuk do të zgjasë përtej 31 dhjetorit 2020, thonë zyrtarët në Bruksel. Kushtet e periudhës që Londra e quan “fazë implementimi” nuk janë negociuar ende mes palëve. Por BE-ja e ka bërë tashmë të qartë se do të vazhdojë të ndjekë rregullat e saj, e nuk mund të adoptojë një qasje përzgjedhëse, siç pretendojnë britanikët. Data e ndërprerjes së etapës së tranzicionit gjendet në udhëzimet e Bashkimit Evropian për shkallën tjetër të negociatave të shkëputjes. Direktivat tregojnë se, Mbretëria e Bashkuar duhet të vazhdojë zbatimin e ligjit tregtar të bllokut, e të qëndrojë përgjatë fazës tranzitore në bashkësinë doganore evropiane dhe tregun unik. Po kështu, përgjatë këtij harku kohor do të zbatohen në vazhdimësi edhe vendimet e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Britania e ka deklaruar tashmë se, si pjesë e “Brexit”-it, planifikon ta lërë unionin doganor bashkë me tregun e vetëm dhe t’i japë fund gjithashtu supremacisë së vendimeve gjyqësore të BE-së. Përplasja e qëndrimeve është e qartë, megjithatë kushtet përfundimtare të kësaj faze kyçe do të përbëjnë pikërisht subjektin e raundit të ardhshëm të bisedimeve.