Angelina Jolie anëtarësohet në NATO
Aktorja hollivudiane Angelina Jolie, i ka bërë apel Aleancës së Atlantikut të Veriut, të marrë masa dhe të ndërhyjë në parandalimin e dhunës ndaj grave në vendet ku zhvillohen konflikte të armatosura.
Përmes një konference të përbashkët mes saj dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, u njoftuan përpjekjet që do të bëjë Aleanca në mbrojtje të grave dhe në zbardhjen e krimeve të luftës. Aktorja e famshme, njëherësh e dërguara e posaçme e agjensisë së OKB për refugjatët, Angelina Jolie, i bëri thirrje NATO-s që të ndërhyjë në ndalimin e dhunës seksuale ndaj grave, si një armë lufte dhe deklaroi: ”Unë do të punoj me koalicionin ushtarak të NATO-s për të luftuar dhunën seksuale ndaj grave. Anëtarësohem në NATO, jo si personel ushtarak, por si një humaniste”. Nga ana tjetër sekretari i NATO-s, Stoltenberg tha se një nga çështjet me të cilat po punon Aleanca në shumë prej vendeve partnere si Kosova, Afganistani e Jordania është se si të ketë më shumë ushtare femra, por edhe më shumë policë femra. "Në po i trajnojmë e po i fuqizojmë dhe besojmë se gratë në forcat e armatosura janë të mira për fuqizimin e grave në të gjithë botës", deklaroi Stoltenberg. NATO, që numëron 29 vende anëtarë me misionet e saj nga Kosova e deri në Afganistan, ka rënë dakord që të raportojë rastet e dhunës seksuale në luftë për të ndihmuar në nxjerrjen e autorëve para drejtësisë dhe për të sfiduar idenë se përdhunimi është një aspekt i pashmangshëm i konfliktit.