Protesta anti-amerikane në Turqi
Turqit janë mbledhur në protesta për të dënuar politikat hegjemoniste dhe ekspansioniste të Amerikës.
Protesta u organizua njëkohësisht me takimin Rex Tillerson, sekretari amerikan I shtetit me Mevlut Çavushoglu ministër I jashtëm i Turqisë. Policia turke ka parandaluar trazirat gjatë ditës së premte, pasi ka bllokuar protestat në Ankara që kishin si qëllim ngritjen e zërit kundër operacionit ushtarak të Ankarasë në Siri. Të paktën shtatë persona janë arrestuar në protestat anti-amerikanë. Një protestues është parë me duart e lidhura nga policët, ndërsa arrestimet tjera janë kryer afër në atë zonë. Tubimi u thirr nga Partia Demokratike e Popujve pro-kurdë (HDP), anëtarët e të cilëve po përballen me një seri sfidash ligjore për lidhjet e dyshuara me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK). Turqia e konsideron milicinë e YPG-së “terroriste”, e cila ka luftuar kundër shtetit turk që nga viti 1984. Edhe në qytetin juglindor të Diyarbakir, me shumicë kurde, policia ka bllokuar zhvillimin e një proteste, ndërsa ka ndaluar edhe gazetarët që të rrinin në vendin e ngjarjes. Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson ka thënë se Shtetet e Bashkuara e njohin të drejtën legjitime të Turqisë për të mbrojtur kufijtë e saj. Ai i ka bërë këto deklarata gjatë një takimi në Ankara me qëllim të uljes së tensioneve në mes të dy aleatëve të NATO-s. Pasi ka biseduar me ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu, Tillerson i ka bërë thirrje Ankarasë të tregojë përmbajtje gjatë operacioneve në rajonin Afrin të Sirisë dhe të mënjanojë hapa që mund të përshkallëzojnë tensionet. Duke folur në konferencën e njëjtë për media, Çavushoglu, ka thënë se Turqia dhe Shtetet e Bashkuara janë pajtuar për nevojën e normalizimit të marrëdhënieve bilaterale, duke premtuar krijimin e “mekanizmave” për të diskutuar çështjet problematike. Turqia është e zemëruar për mbështetjen e Uashingtonit ndaj milicëve kurdë, të njohur si Njësitet për Mbrojtjen e Popullit (YPG). Turqia e konsideron YPG-në si grup terrorist, të lidhur me rebelët kurdë që luftojnë brenda Sirisë. Mirëpo YPG ka qenë aleatja kryesore e SHBA-së, në luftimin e grupit ekstremist, ISIS në Siri. Tillerson është takuar më 15 shkurt me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan për më shumë se tri orë. Në fund të dy palët kanë thënë se diskutimi ka qenë produktiv mirëpo jovendimtar. Ofensiva turke kundër kurdëve në veri të Sirisë rrezikon që ta vendosë atë përballë me Shtetet e Bashkuara. Përveç bombardimeve nga ajri, SHBA ka në këtë zonë edhe disa trupa tokësore, që u janë bashkuar njësive kurde në luftën kundër ISIS-t. E për të shmangur ndonjë incident të pakendshëm, dy vendet anëtare të NATO-s thonë se kanë rënë dakord për t’u koordinuar me njëra-tjetrën për operacionet në terren, por edhe për të çtensionuar marrëdhëniet diplomatike. Molla e sherrit është qyteti Manbij. Ky qytet u mor nga kurdët e Njësive për Mbrojtjen e Popullit, një grup aleat i hershëm i SHBA në luftën kundër ISIS-t, por që Ankaraja i konsideron terroristë. Javën e kaluar, një gjeneral amerikan paralajmëroi Turqinë se trupat e tij do të reagonin në mënyrë agresive ndaj çdolloj sulmi ushtarak turk në Manbij. Si kundërpërgjigje, Rexhep Taip Erdogan kërcënoi SHBA me “shuplakën otomane”, një referencë historike për një “sulm vdekjeprurës dhe të rrufeshëm”.