Vazhdojnë mosmarrëveshjet e BE dhe Britanisë për Brexit
https://parstoday.ir/sq/news/world-i70167-vazhdojnë_mosmarrëveshjet_e_be_dhe_britanisë_për_brexit
Michel Barnier negociatori i lartë i BE për procesin e Brexit, pasi vuri në dukje mosmarrëveshjet mes palëve deklaroi se negociatat mes Londrës dhe Brukselit nuk kanë ecur në formë serioze dhe nuk mund të garantojnë arritjen e një akordi për Anglinë për periudhën pas largimit nga unioni.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Mars 01, 2018 06:06 Europe/Tirane
  • Vazhdojnë mosmarrëveshjet e BE dhe Britanisë për Brexit

Michel Barnier negociatori i lartë i BE për procesin e Brexit, pasi vuri në dukje mosmarrëveshjet mes palëve deklaroi se negociatat mes Londrës dhe Brukselit nuk kanë ecur në formë serioze dhe nuk mund të garantojnë arritjen e një akordi për Anglinë për periudhën pas largimit nga unioni.

Kryenegociatori i Bashkimit Evropian, Michel Barnier ka paralajmëruar se marrëveshja për periudhën e tranzicionit pas “Brexit”-it është vënë në dyshim nga kërkesat e Britanisë së Madhe. Barnier tha se nuk mund t’i kuptojë pozicionet e marra nga krerët e Londrës gjatë ditëve të fundit. “Të jem i sinqertë, nëse këto mosmarrëveshje do të vazhdojnë, atëherë nuk mund të ketë marrëveshje për tranzicionin”, deklaroi ai. Komentet e tij shkaktuan një rënie të menjëhershme të vlerës së paundit britanik, një tregues i rëndësisë së jashtëzakonshme që ka periudha e tranzicionit në mbrojtjen e bizneseve në Britaninë e Madhe nga efektet e “Brexit”-it pas 29 marsit të vitit 2019. Gjatë 21 muajve të tranzicionit, Britania do të qëndrojë efektivisht në BE dhe në respektim të plotë të ligjeve të unionit, por humbet karrigen e saj në institucionet vendimmarrëse. Gjithsesi, anglezët kërkojnë që t’i trajtojnë qytetarët europianë që mbërrijnë në ishull gjatë kësaj periudhe tranzitore ndryshe nga ata që jetojnë aktualisht në Mbretërinë e Bashkuar. Britania e Madhe po kërkon edhe të drejtën për të kundërshtuar aplikimin e ligjeve të reja të BE-së dhe të ruajë të drejtën për të zgjedhur në politikat e reja të sigurisë dhe të çështjeve të brendshme. Barnier u tha reporterëve se ishte i surprizuar nga kërkesat e Britanisë dhe sugjeroi se, për sa kohë Londra nuk lëshon pe, mosmarrëveshjet mes dy palëve mund të jenë të pakapërcyeshme. “Kur u takova me Sekretarin për Brexit, David Davis, në Londër Britania këmbënguli se ne duhet të arrijmë një marrëveshje në mars për këtë periudhë tranzicioni”, tha Barnier. “Në të njëjtën kohë, partnerët tanë nënvizuan një sërë mosmarrëveshjesh, të cilat unë i konsideroj si thelbësore”. Më tej, Barnier shton se “nuk i kupton disa prej pozicioneve të Britanisë”. “Jam i surprizuar nga këto mosmarrëveshje. Pozicionet e BE-së janë tejet logjike. Nëse këto do të vazhdojnë, atëherë padyshim që do të jetë një problem”. Më herët Donald Tusk presidentit të Këshillit të BE-së ka thënë se pozicioni negociues i Britanisë së Madhe mbi marrëdhëniet e saj me Bashkimin Europian pas “Brexit”-it është i bazuar në një “iluzion të kulluar”. Tusk ishte mospërfillës ndaj marrëveshjes së raportuar si të arritur mes drejtuesve të lartë të kabinetit të ministrave britanikë, në takimin e së enjtes, për të marrë pozicionin e “divergjencës së menaxhuar” në disa sektorë të tregut të përbashkët, por jo për të gjitha. “Nëse raportimet mediatike janë korrekte, kam frikë se pozicioni i Britanisë sot është i bazuar tërësisht në iluzion. Duket sikur filozofia e tortës është ende gjallë”, tha ai, duke iu referuar dëshirës britanike për ta pasur tortën e për ta ngrënë atë. “Që prej fillimit kemi pasur një parim bazë. Kryeministrja britanike pritet të mbajë edhe një fjalim të rëndësishëm javën e ardhshme për të bërë të ditur pozicionin e Britanisë së Madhe, edhe pse data e fjalimit nuk është caktuar ende. Tusk tha se Këshilli mund të përfundojë me udhërrëfyesin për negociatat mbi marrëdhënien e ardhshme në mars. “Jam totalisht i bindur se ne do të jemi ekstremisht realistë si union, në vlerësimin tonë mbi atë se çfarë është e mundshme”, tha ai.