Zgjatja e sanksioneve amerikane, thellim i tensionit SHBA-Rusi
(last modified Sat, 03 Mar 2018 19:36:13 GMT )
Mars 03, 2018 20:36 Europe/Tirane
  • Zgjatja e sanksioneve amerikane, thellim i tensionit SHBA-Rusi

Qeveria e SHBA të premten shtyu deri në mars 2019 sanksionet e vendosura kundër Rusisë për aneksimin e gadishullit të Krimesë në vitin 2014.

Më 26 janar 2018, Departamenti Amerikan i Thesarit sanksionoi dy zyrtarë të lartë rusë, duke përfshirë zëvendësministrin e Energjisë, si dhe 19 qytetarë dhe zyrtarë rusë nga rajonet Donjeck dhe Luhansk në Ukrainën lindore. Ndërkohë, Rusia i ka dënuar sanksionet e SHBA kundër saj duke i cilësuar si ilegale dhe të dëmshme për botën pasi Uashingtoni zgjati embargot kundër Moskës mbi krizën e Ukrainës. "Ne kurrë nuk kemi qenë iniciatorë të këtyre sanksioneve, ne i konsiderojmë të paligjshme dhe të dëmshme jo vetëm për popujt e dy vendeve tona, por për të gjithë botën", citon agjensia e lajmeve Interfax zëdhënësin presidencial rus, Dmitri Peskov. Deklaratat e Peskov erdhën një ditë pasi Presidenti i SHBA Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të zgjatur sanksionet kundër Moskës, të cilat janë vendosur që kur gadishulli i Krimesë në Detin e Zi u bashkua me Rusinë në vitin 2014. Lidhjet midis SHBA dhe Rusisë kanë rënë në nivele që nuk janë parë që nga Lufta e Ftohtë për shkak të mosmarrëveshjeve të dy pushteteve mbi krizat në Ukrainën dhe Sirinë dhe pasi zyrtarët amerikanë akuzuan Rusinë për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Zgjatja e sanksioneve amerikane ndaj Moskës nuk mund të shihet jashtë kuadrit të tensioneve të larta mes dy vendeve. Të premten, zv / ministri i mbrojtjes i Rusisë, Alexander Fomin, tha se SHBA po planifikonte të vendoste rreth 400 raketa balistike në kufijtë e Rusisë, si pjesë e planeve të saj ushtarake në Evropën Lindore. Asnjë vend në botë nuk është më i sigurtë nga raketat ruse. Raketa e re atomike e testuar në fund të vitit 2017 mund të arrijë çdo pikë të globit, deklaroi presidenti rus, Vladimir Putin në fjalimin e mbajtur para deputetëve në Moskë. Të gjitha sistemet e mbrojtjes janë të pafuqishme përballë raketave të reja ndërkontinentale, deklaroi Putin. Ai shpjegoi edhe motivet e iniciativës së re të armatimit. Ky ishte reagimi rus ndaj politikës së fundit të SHBA-së. “Bëhet fjalë për sisteme të reja strategjike raketore ruse, që i zhvilluam si pasojë e largimit të njëanshëm të SHBA-së nga marrëveshja për mbrojtjen raketore dhe stacionimi faktik i sistemeve të tilla brenda SHBA-së dhe jashtë kufijve amerikanë”, tha Putin. “Viti 2018 është një vit në të cilin Rusia do të përcaktohet përfundimisht si global player”, shkruan Liana Fix nga fondacioni gjerman Körber, referente për dialogun gjermano-rus në një artikull për Neue Zürcher Zeitung. “Agjenda ekspansive e Rusisë nuk është ekskursion, dhe as zhvendosje e vëmendjes, por realitet gjeopolitik.” Rusia po i ndjek qëllimet strategjike me gjithnjë e më shumë vetësiguri. Këtu bën pjesë edhe pranimi i Rusisë nga ana e Uashingtonit si fuqi e barasvlershme, që nuk mund të injorohet në konfliktet ndërkombëtare. Pranimi i një sovraniteti të kufizuar të fqinjëve post-sovjetikë e me këtë pranim i zonave ruse të influencës. Zgjatja e sanksioneve vetëm sa do të shtojë edhe më shumë tensionet në raportet Uashington-Moskë.

 

Tags