Tronditje në skenën politike amerikane, Trump shkarkon Tillersonin
Përmes një postimi surprizë në llogarinë e tij në Twitter, presidenti Donald Trump ka lajmëruar shkarkimin e Rex Tillerson nga posti i Sekretarit të Shtetit. 65-vjeçari ish-shef ekzekutiv i kompanisë së naftës ExxonMobil, e mori këtë rol vetëm një vit më parë. Vendin e Tillerson do ta zërë drejtori i CIA-s Mike Pompeo.
Ndërkohë Trump ka njoftuar se, Gina Haspel do të jetë drejtoresha e CIA-s, e cila bëhet drejtoresha e parë femër në këtë institucion. Kjo lëvizje e rëndësishme në administratën Trump vjen në një kohë kur po përgatiten edhe bisedimet me Korenë e Veriut, ku pritet të zhvillohet edhe një takim mes presidentit Trump dhe liderit koreano- verior Kim Jong-un. Trump e kishte shprehur prej muajsh dëshirën e tij për të pasur Mike Pompeon si Sekretar të Shtetit, ndërsa Shtëpia e Bardhë duket se i ka nisur planet për të që prej vjeshtës së vitit të kaluar. Trump u irritua tej mase ndaj Tillersonit, pasi media zbuloi se kryediplomati e kishte quajtur presidentin “një idiot që nuk tërhiqet kurrë”, e shumëkush në Shtëpinë e Bardhë e konsideroi këtë diferencë të thellë mes tyre si të papajtueshme. Këto bisedime, nëse ndodhin vërtet, do të ishin të parat mes një presidenti amerikan në detyrë dhe një udhëheqësi të vendit komunist. Ato pritet të mbahen në maj, sipas këshilltarit për Sigurinë Kombëtare të Koresë së Jugut, Chung Eui-yong. Të premten Tillerson deklaroi se vendimi i Trumpit për t’u takuar me Kim Jong-unin “nuk ishte ndonjë surprizë”. Ky cilësim erdhi pikërisht pak orë pasi Sekretari i Shtetit ishte shprehur se nuk ishin pjekur ende kushtet për negociata me Korenë e Veriut. Trump ka pranuar se nuk ka biseduar me Tillersonin për Korenë e Veriut. “E mora vet vendimin”, u tha reporterëve pak minuta pas lajmit për shkarkimin e Sekretarit të Shtetit. E përpara se të largohej nga selia presidenciale për në Kaliforni, ai konfirmoi se me Rex Tillerson “ka shkuar mirë”, por kanë pasur mendime të ndryshme për disa çështje, mes të cilave edhe marrëveshja me Iranin, që ai vet e konsideron të tmerrshme. “Nuk mendonim njësoj bashkë. Me Pompeon po, kam pikëpamje të njëjta për të vijuar procesin”, shtoi ai. Që kur Tillerson mori postin në shkurt të vitit 2017, mesazhet e përziera erdhën në mënyrë të përsëritur nga Shtëpia e Bardhë dhe përleshjet frontale në mes Presidentit dhe Sekretarit të Shtetit erdhën mes krizave të mëdha ndërkombëtare. Trump gjithashtu ka emëruar Gina Haspel, si zgjedhjen e tij për t’u bërë drejtore e CIA-s. Emërimi i Haspel do të jetë shumë i diskutueshëm. Kjo pasi që siç thuhet nga mediat ndërkombëtare, ajo luajti një rol kryesor në “drejtimin e burgut të torturave kundër të dyshuarve për terrorizëm” dhe më pas shkatërroi dëshmitë. Në vitin 2002, ajo mbikëqyri një burg të fshehtë në Tajlandë që torturoi dy të dyshuar për terrorizëm. Pamjet e torturave të CIA-s u shkatërruan në vitin 2005, me anë të një “udhëzimi” të hartuar nga vetë Haspel.