Kalifornianët kundërshtojnë murin e Trump-it
Demonstruesit amerikanë kanë organizuar një marshim kundër murit të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump, që planifikohet të ndërtohet pranë një kalimi kufitar SHBA-Meksikë në shtetin perëndimor të Kalifornisë.
Protestuesit, duke përfshirë aktivistë, emigrantë dhe kundërshtarë të planit të propozuar të Trump, u mblodhën të martën në afërsi të kalimit kufitar San Ysidro në Kaliforni për të shprehur pakënaqësinë e tyre rreth ndërtimit të murit shumë të debatuar kufitar përgjatë kufirit jugor të SHBA me Meksikën. Protestuesit mbanin banderola ku lexohej: "Asnjë ndalim! Asnjë mur!" dhe thërrisnin "ne nuk do të paguajmë për murin tuaj", duke iu referuar këmbënguljes së Trump që muri duhet të financohet nga Meksika. Protesta u mbajt ndërsa presidenti amerikan po inspekton tetë prototipa të murit kufitar të ndërtuara vitin e kaluar në një përpjekje për të përmbushur premtimin e fushatës së tij elektorale. Gjatë këtij viti janë rritur tensionet midis Kalifornisë dhe administratës së Trump mbi refuzimin e shtetit të Kalifornisë për të bashkëpunuar me autoritetet federale të emigracionit. Për më tepër, Këshilli i Qytetit të San Diegos vitin e kaluar miratoi një rezolutë që kundërshtonte murin e propozuar të Trump.