Liderët urojnë Putinin, Perëndimi hesht
Perëndimi duket se nuk e ka mirëpritur lajmin për rizgjedhjen e Vladimir Putin si president të Rusisë për një tjetër mandat, teksa liderët janë treguar të rezervuar në urimin e fitores.
Por ndryshe ka qenë reagimi i liderëve aziatikë dhe latinë, të cilët kanë përgëzuar Putin për fitoren bindëse të arritur në zgjedhjet e 18 marsit. Liderët perëndimorë duken të heshtur përballë fitores së Vladimir Putin në zgjedhjet presidenciale të Rusisë. Steffen Seibert, zëdhënës i Angela Merkel, deklaroi se së shpejti kancelarja gjermane do të dërgonte një telegram urimi për presidentin rus. Por liderë të tjerë perëndimorë nuk kanë reaguar aspak për fitoren e Putin. Tensionet mes palëve janë thelluar në javët e fundit pas helmimit të ish-spiunit Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia. Qeveria britanike akuzoi Moskën si përgjegjëse të sulmit, qëndrim i përkrahur edhe nga partnerët europianë dhe amerikanë të Mbretërisë së Bashkuar. Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë publikoi raportin për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Rusi, ku vëren se kufizimet në liritë themelore, përfshi këtu edhe në regjistrimin e kandidatëve, kanë kufizuar hapësirën për angazhim politik dhe kanë rezultuar në mungesë të konkurrencës reale. Ndryshe ka qenë reagimi i liderëve në vende të tjera. Presidenti iranian Hasan Ruhani ishte midis liderëve të parë që uroi të hënën homologun e tij rus për "fitoren vendimtare" të tij. Në mesazhin e tij të urimit ndaj Putinit, Presidenti Ruhani shprehu shpresën për lidhje më të forta Teheran-Moskë në nivel bilateral, rajonal dhe ndërkombëtar. Presidenti kinez Xi Jinping deklaroi se partneriteti i vendit të tij me Rusinë është në “nivelet më të larta në histori”. Kryeministri japonez Shinzo Abe ka biseduar me zotin Putin për të siguruar se vendet do të vijojnë të bashkëpunojnë për denuklearizimin e gadishullit korean. Në performancën e tij më të mirë zgjedhore ndonjëherë, Putini siguroi gati 77 përqind të votave në zgjedhjet presidenciale të së dielës, sipas rezultateve zyrtare të publikuara më parë.