Britania e vendosur për vazhdimin e politikës sanksionuese kundër Rusisë
Kryeministrja britanike Theresa May, konfirmoi angazhimin e vendit të saj për të imponuar sanksione kundër Rusisë.
E pranishme në komitetin për marrëdhëniet parlamentare të Britanisë së madhe, kryeministrja angleze foli mbi veprimet kundër Moskës dhe tha se sa herë që sanksionet të përputhen me politikën e jashtme dhe interesat kombëtare të Britanisë, ato do të përdoren. Shtëpia e Bardhë ka bërë bilancin e vendeve që kanë dëbuar rusët si përgjigje ndaj helmimit të ish-agjentit rus në Britaninë e Madhe. Në një postim në Instagram, SHBA ka treguar se janë 23 shtete përfshirë edhe Shqipërinë, që kanë reaguar për ti bërë të qartë Rusisë se veprimet e saj kanë pasoja. Deri tani, sipas bilancit të Shtëpisë së Bardhë, janë dëbuar 137 punonjës të inteligjencës ruse. Presidenti Donald Trump ka urdhëruar sot dëbimin e dhjetëra punonjësve të inteligjencës ruse nga SHBA si edhe mbylljen e konsullatës ruse në Seattle. Edhe NATO-ja njoftoi se po dëbon shtatë diplomatë rusë dhe po u mohon akreditimin tre të tjerëve si pjesë e një kundërpërgjigjeje "të gjerë, të fortë dhe të koordinuar" ndërkombëtare ndaj sulmit me lëndë nervore ndaj një ish-agjenti të dyfishtë rus dhe të bijës së tij në Britani. "Sot kam tërhequr akreditimin e shtatë vetëve të misionit rus në NATO. Do t’u mohoj gjithashtu kërkesën për akreditim tre të tjerëve", tha të martën sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg. "Kjo do të dërgojë një mesazh të qartë në Rusi se do të ketë kosto dhe pasoja për sjelljen e tyre të papranueshme". Stoltenberg vuri në dukje se Këshilli i Atlantikut të Veriut gjithashtu ka reduktuar në 10 numrin maksimal të misionit rus në NATO nga 20 që ishte gjithsej.