Turqi, sulm në universitet, 4 të vdekur
Një person i armatosur ka hapur zjarr në një universitet në Turqinë qendrore duke vrarë 4 persona.
Agjencia e lajmeve Dogan raporton se policia ka kapur personin e armatosur, një anëtar i stafit të universitetit. Ndërsa raportohet nga mediat turke se viktimat janë një zëvendës dekan, një sekretar dhe dy pedagogë. Sulmi ka ndodhur të enjten në Universitetin Osmangazi në qytetin Eskisehir dhe nuk dihen ende shkaqet e ngjarjes së rëndë. Nga sulmi mbetën të plagosur edhe 3 persona të tjerë, sipas filialit turk të CNN-it. Agresori mësyu fillimisht zyrën e dekanit dhe qëlloi një person aty brenda, sipas rektorit të universitetit, Hasan Gonen. Më pas, ai qëlloi edhe 3 pjesëtarë të tjerë të stafit, në katet e mësipërme të ndërtesës, përpara se të largohej nga godina. Pamjet televizive treguan punonjësit e emergjencës që shkuan menjëherë në vendngjarje, për t’iu ardhur në ndihmë studentëve dhe pedagogëve të tjerë të shokuar. Mediet proqeveritare, si “Sabah”, raportojnë se asistenti i kërkimeve shkencore ishte shkarkuar nga detyra më herët si pjesë e hetimeve mbi atë që qeveria e quan si organizatë terroriste fethullahiste (FETO).