Fati i marrëveshjes bërthamore në rrugën e sabotimeve amerikane
Nikki Haley, përfaqësuesja e Amerikës në OKB, në kuadër të politikave dhe pretendimeve të pabaza të Amerikës kundër Iranit, edhe një herë shprehu kundërshtimin e Uashingtonit me marrëveshjen bërthamore.
E pranishme në simpoziumin “Sfidat e administrimit të botës”, në universitetin Duke, përfaqësuesja e Amerikës në OKB, me krenari deklaroi se qeveria e Donald Trump ka sfiduar marrëveshjen bërthamore dhe programin e zbatimit të saj dhe shtoi: “ Ne jemi duke punuar me partnerët tanë evropianë për reformimin e marrëveshjes bërthamore dhe që Irani të përgjigjet për atë që ajo e quajti mbështetjen rajonale të Iranit për terrorizmin”. Nikki Haley shtoi: Evropianët mund ta mbajnë këtë marrëveshje për veten e tyre. Ajo kërcënoi se Amerika mund të kthejë përsëri sanksionet. Kjo deklaratë u bë në kohën kur Federika Mogherini dhe Taro Kono, përkatësisht shefe e diplomacisë evropiane dhe ministër i jashtëm i Japonisë, në një bisedë telefonike mes tyre theksuan domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes bërthamore nga të gjitha palët. Evropa ka bërë të qartë se shkatërrimi i marrëveshjes bërthamore është në dëm të të gjitha palëve dhe nuk do të ketë asnjë fitues. Qëndrimet e palëve të tjera të marrëveshjes bërthamore, kanë distancë të largët me pikëpamjet e presidentit Donald Trump. Moska dhe Pekini gjithashtu janë kundër përpjekjeve për rishikimin dhe reformimin e marrëveshjes bërthamore dhe programit të saj të veprimit. Janarin e kaluar presidenti Trump u ka dhënë afat Kongresit amerikan dhe qeverive evropiane që deri në afatin e caktuar më 12 Maj të marrin vendim për atë që Amerika e ka cilësuar reformimin e mangësive në marrëveshjen bërthamore. Në rast të kundërt ai kërcënoi se Amerika do të largohet nga marrëveshja bërthamore. Kris Murfi senator demokrat, lidhur me deklaratat e Donald Trump kundër Iranit, në një prej intervistave të tij për kanalin Fox News ka thënë: Irani po zbaton marrëveshjen bërthamore dhe nuk ekziston asnjë shans për riorganizimin e negociatave të reja për këtë marrëveshje. Irani në zbatimin e marrëveshjes bërthamore që në fillim ka qenë një palë e besueshme dhe në 10 raportet e publikuara nga ANEA, është konfirmuar zbatimi i angazhimeve të Iranit në kuadër të kësaj marrëveshjeje. Në këto kushte, Amerika nëse në formë të njëanshme merr vendim për daljen nga marrëveshja bërthamore, ajo do të pësojë dëme të shumta. Për këtë arsye, Donald Trump për të ruajtur pozitën e tij kërkon të blejë kohë me qëllim që të marrë më shumë pikë nga të tjerët. Deklarata e përfaqësueses së Amerikës në OKB tregon se Uashingtoni në këtë çështje përballet me dy sfida kryesore. Së pari, mungesa e një uniteti me politikat e palogjikshme të Amerikës dhe izolimi i saj në Bashkësinë Ndërkombëtare. Së dyti, është kapaciteti i Iranit në përgjigje të çdo veprimi armiqësor dhe në përballje me presionet dhe kërcënimet e Amerikës. Husein Kashani, ekspert i çështjeve ndërkombëtare thotë: Edhe në rast të largimit të Amerikës nga marrëveshja bërthamore, ky vend përsëri është i detyruar të zbatojë ligjet ndërkombëtare dhe rezolutat e OKB. Ky analist i çështjeve ndërkombëtare thotë: Programi i përbashkët i veprimit është kapitulli A i rezolutës 2231 të KS të OKB që sipas ligjeve ndërkombëtare, është pjesë e pandarë e kësaj rezolute. Megjithatë përgjatë 1 viti, Donald Trump ka mbajtur sjellje të paparashikueshme sa i përket zbatimit të akordeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare dhe ndoshta marrëveshja bërthamore nuk bën dallim në sjelljet e tij.